Franci kishte fjetur deri në mesnatë. Dora qëndronte në anë të shtratit, vështronte trupin e tij të dobësuar dhe përgjonte i përqendruar çdo ndryshim të frymëmarrjes së tij.
Llamba që bënte dritë mbi tryezë e shtrinte hijen e zgjatur deri në faqen e murit. Dora vërejti ngritjen e tij të ngathët, u mbështet mbi kraharor e vështroi me vëmendje profilin, linjat e vijëzuara qartë gjatë gjithë gjatësisë së tij, hundën eshtake, faqet kockëdala dhe sytë e futur thellë …
Jemi në Berlinin e vitit 1924, kur Franc Kafka 40- vjeçar po jeton dashurinë e fundit në jetën e tij. Ajo quhet Dora Diamant dhe është një vajzë hebreje europiano-lindore 25 vjeç. Njohja e tyre nuk ndryshon shumë nga njohjet e para të dashurisë, ku burri i njohur për kërkimin e së bukurës, pikasi duart e saj të gjata e të holla. Dhe e deshi menjëherë vetëm nga duart. Vetëm tri javë pas njohjes ata vendosën të jetonin bashkë. Të dy nuk e kishin provuar më parë bashkëjetesën. Franci kishte rënë në dashuri disa herë, por nuk ishte martuar asnjëherë. Shfaqja e sëmundjes së mushkërive gati gjashtë vjet para se të takonte Dorën e kishte detyruar të mos e mendonte martesën. Por me Dorën gjithçka ishte ndryshe. Kjo vajzë, me flokët e verdha e të shkurtra dhe sytë e mëdhenj, e kishte përfshirë të tërin. Franc Kafka po jetonte në një apartament të vogël në Berlin, ndoshta librin më të bukur të jetës së tij, në heshtje. As Maks Brodi (miku, e më vonë biografi i tij) nuk dinte asgjë për Dorën dhe rolin e saj të rëndësishëm në jetën e tij.
Historia e kësaj gruaje që kishte trazuar zemrën e brishtë të Franc Kafkës do të bëhej publike për familjen e miqtë kur nga sanatoriumi ‘Hofman Kirling’, u shkruante letra për gjendjen e tij.
“Dje më mori në telefon nga Kirlingu, zonjusha Diamanti. Dr. Franc Kafka ndien një dhembje të mprehtë në fyt, veçanërisht kur kollitet …
Sot zonjusha Diamant, më mori përsëri në telefon dhe më njoftoi se dhembjet ishin kthyer sërish me një dendësi të madhe. E këshillova ta çojë dr. Kafkën në Pragë. Por ajo nuk pranoi duke menduar se përmes kësaj, i sëmuri do të kuptojë gjendjen e rëndë. Është detyra juaj që ta vini në dijeni për gjendjen e sëmundjes. Nga ana psikologjike unë e kuptoj se zonjusha Diamant me këtë sakrificë prekëse mbron interesat e pacientit. Ajo kërkon të thirren një grup mjekësh specialistë. Por gjendja në të cilën ndodhet dr. Kafka nuk ka më kthim …”, shkruante në një nga letrat mjeku që ndiqte gjendjen e Kafkës.
“Në prag të vdekjes së vet, Franci kishte bërë disa marrëveshje”, ka shkruar gazetari gjerman Vili Has. “Njëra marrëveshje që njihet është ajo me dr. Klopshtokun, i cili kur të shihte se nuk kishte më shpresa duhet të përshpejtonte vdekjen duke i bërë injeksionin. Dukej se në një çast dobësie, Franci i kishte dhënë leje Dorës të vdiste me të”. Në çastet e fundit një mik i Francit i ardhur nga Praga e kishte çuar Dorën për të postuar një letër. Kur ajo u kthye me duart e mbushura plot lule, ai ishte zhytur në qetësi.
Varrimi në Pragë, dhembja e ditëve të para pa të, do ta bënin Dorën të tërhiqej për disa vite.
Kur Maks Brodi e pyeti në kishte ruajtur blloqe me shënime të Francit a letra mes tyre për të botuar veprën e plotë, ajo mohoi duke thënë se i kishte djegur të gjitha. Deri në vitin 1933 kjo grua do të heshte duke respektuar dëshirën e tij, që “dorëshkrimet të asgjësoheshin pas vdekjes”. Nuk donte që bota ta njihte Francin, donte të ishte vetëm e saj. Vonë, Dora do ta kuptonte se përvoja e saj do t’i jepte dritë keqkuptimeve që ishin krijuar për Kafkën. Pas gati 20 viteve heshtjeje ajo vendosi të flasë për të ndihmuar në krijimin e portretit të vërtetë të Franc Kafkës, duke hapur një shteg përmes së cilit do të njihej më mirë shkrimtari.
I pari që takoi ishte Maks Brodi. Dora donte të ndreqte mendimin rreth mungesës së shpresës që karakterizonte veprën e Kafkës. Asgjë nuk është më tepër e tmerrshme sesa ta gjykosh padrejtësisht shkrimtarin dhe ta vlerësosh në mënyrë pasive krijmtarinë e tij, ta akuzosh për mungesë humanizmi dhe rënie shpirtërore. Ndërsa personazhi K ishte i dënuar në procesin gjyqësor, Kafka kërkonte të tregonte me këtë, absurditetin e këtij procesi. Ai nuk kishte ndërmend të tregonte humbjen e shpresës.
Dora do t’i tregonte Brodit më shumë se çdo njeri tjetër që e kishte njohur Kafkën. Është e mahnitshme aftësia që ka dashuria për të depërtuar te tjetri dhe për ta njohur të tërin në vetëm pak kohë. “Franci vuante shumë për vuajtjet e të tjerëve. Ai kurrë nuk kishte menduar të krijonte një jetë për veten e tij, për të shpëtuar veten. Ai nuk ishte aspak pesimist”, thoshte ajo.
Historia e Dora Diamant dhe Franc Kafkës mund të lexohet në librin “Dashuria e fundit e Franc Kafkës” me autore Kathi Diamant, botimet “Bota shqiptare”. I shqipëruar nga Perikli Jorgoni, ky libër na bën ta shohim ndryshe jetën e një prej shkrimtarëve më të keqkuptuar të shekullit të kaluar, përmes marrëdhënieve që pati me një grua.
Alda Bardhyli
Top Channel