Një muaj pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis njoftoi largimin e tij nga posti, edhe shefi i stafit të Departamentit të Mbrojtjes, Kevin Sweeney ka dhënë po ashtu dorëheqjen.

Përmes një deklarate, nënadmirali Sweeney e justifikonte largimin e tij me atë që e quante “koha e duhur për t’u rikthyer në sektorin privat”.

Ai është zyrtari i tretë i lartë i Pentagonit që shpall dorëheqjen, që të gjitha pasi presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të tërheqin trupat nga Siria. Megjithatë, zyrtarët kanë theksuar se ende nuk ka një afat kohor për largimin e tyre.

Nënadmirali Sweeney e ka mbajtur këtë post për dy vite, nga janari i vitit 2017. Në letrën e shkurtër të dorëheqjes, ai shkruan se “ka qenë një nder të shërbejë” në krah të kolegëve të tij në Departamentin e Mbrojtjes, por pa e përmendur fare presidentin Trump.

Njoftimi i tij vjen vetëm pak ditë pasi gjenerali Mattis u largua nga posti i tij më herët nga sa ishte parashikuar, pasi fillimisht u mendua se ai do të qëndronte deri në shkurt.

Largimi i tij shton edhe më shumë ndjenjën e paqartësisë që ka rrethuar politikat e mbrojtjes dhe ato të jashtme të administratës “Trump”, që prej shpalljes së papritur të planit për tërheqjen e trupave nga Siria, siç theksojnë analistët.

Të martën, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo do të ndërmarrë një tur njëjavor në Lindjen e Mesme, me synimin për të garantuar aleatët në rajon. Ish-sekretari Mattis theksonte në letrën e tij të dorëheqjes “dallimet në politika” me presidentin Trump.

Më herët, edhe zëdhënësja e Departamentit të Mbrojtjes, Dana White, ishte larguar nga posti i saj pas njoftimit surprizë të presidentit mbi Sirinë.

Top Channel