Hakerat “shënjestrojnë” politikanët në Gjermani, u publikojnë të dhënat personale

05/01/2019 00:56

Në Gjermani ka ndodhur vjedhja më e madhe e të dhënave që ka njohur ndonjëherë historia e shtetit gjerman, me qindra politikanë, gazetarë e muzikantë të prekur nga hakimi i të dhënave personale.

Mes viktimave të vjedhjes së të dhënave duket se është edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti i Republikës Frank Walter Steinmeier dhe komediani Jan Boehmermann. Këtyre figurave publike u janë vjedhur dhe publikuar në Twitter shkëmbimet e emaileve, bisedat e tyre private në chat, të dhënat personale dhe financiare, numrat e telefonit dhe adresat private, deri edhe fotografitë e pushimeve.

Për të gjetur autorët e hakimit, qeveria Gjermane i ka kërkuar ndihmë Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare, me të cilën ka pasur përplasje që gati sa nuk shpërthyen në një krizë diplomatike mes Berlinit dhe Washingtonit, kur dolën lajmet për spiunimin e shumë politikanëve gjermanë, mes të cilëve celulari i Angela Merkel-it.

Sipas mediave gjermane, të dhënat i përkasin kryesisht muajit tetor të vitit që kaloi, por aty gjenden edhe informacione të stokuara prej vitesh. Deri tani CDU-ja është partia më e goditur. Janë 405 politikanët që po sulmohen, ndërsa e vetmja parti që i ka shpëtuar sulmeve është AFD-ja, partia e djathtë populiste.

Shërbimet Sekrete të Brendshme i kanë nisur hetimet që nga dita e enjte dhe sipas të përditshmes gjermane “Bild” hidhet dyshimi se në këtë operacion gjendet e përfshirë Rusia ose Kina. Gazeta ka hedhur edhe versionin e një bashkëpunimi mes Rusisë dhe grupeve të ekstremit të djathtë në Gjermani.

Top Channel