Qiejt në të gjithë botën u ndriçuan ndërsa njerëzit pritën fillimin e vitit 2019. Që nga Koreja e Veriut e deri në Britaninë e Madhe, njerëzit kanë festuar Vitin e Ri me fishekzjarre dhe festime.

Topi i kristaltë në Nju Jork u ul si zakonisht përpara turmës elektrizuese në Times Square. Moti i ftohtë dhe shiu nuk i pengoi miliona vetë të prisnin performancat e Christina Aguilera, Sting dhe Snoop Dogg. Ndërsa në minutat e fundit të ndërrimit të viteve, shqiptarja Bebe Rexha këndoi “Imagine” të John Lenon për të kaluar më pas tek “New York New York” të Frank Sinatrës, në momentet e para të 2019.

Festa në Nju Jork dhe qytete të tjera amerikane ishte ndalesa e fundit e festimeve që më herët nisën në pjesë të tjera të globit, nga Azia në Evropë.

Në Rio de Zhaneiro, Krishti shpëtimtar u mbulua nga ngjyrat, ndërsa më shumë se 2 milionë brazilianë kërcenin në plazhet e Kopakabanës.

Festa e madhe nisi në Sidnej me spektaklin më të madh të fishekzjarreve, që gozhdoi para tij 1.5 milionë vetë.

Në Hong Kong, qindra e mijëra vetë mbushën rrugët përgjatë gjirit Viktoria, për një spektakël 10 minutësh që e bëri natën ditë.

Në kryeqytetin indonezian, Xhakarta, më shumë se 500 çifte u kurorëzuan në një martesë masive të organizuar nga qeveria në mbërritjen e Vitit të Ri.

Në Japoni, banorët lokalë iu drejtuan tempujve për të pritur 2019. Në Dubai po ashtu spektakli i fishekzjarreve mbi kullën më të lartë në botë, Burj Khalifa, ishte i mahnitshëm.

Edhe në Sirinë e gjunjëzuar nga 8 vite luftë civile, njerëzit festuan, me shumë familje që dolën edhe nëpër restorante e bare.

Rusia e priti Vitin e Ri në disa zona kohore. Koncertet dhe festimet më të ethshme ishin përqendruar padyshim në parqet e Moskës.

Në Paris, fishekzjarret dhe një spektakël dritash u përqendruan në Champs Elysee, me protestuesit jelekëverdhë në mesin e turmës prej mbi 300 mijë vetësh.

Në Berlin ndërkohë, adhuruesit e muzikës festuan në portat e Brandenburgut.

Edhe Londra festoi ardhjen e Vitit të Ri, pavarësisht paqartësive të mëdha për të ardhmen e vendit.

Të parët të cilët e kanë përshëndetur vitin 2019 kanë qenë banorët e ishullit Tutuila në Samoa. Ata kanë festuar 12 orë para shumicës së evropianëve.

Top Channel