Fjalimi i Merkel për vitin e ri: “Gjermania kërkon më shumë përgjegjësi”

31/12/2018 10:57

Në 2019-tën, Gjermania do të kërkojë të marrë më shumë përgjegjësi në çështjet ndërkombëtare, u zotua Angela Merkel në fjalimin e saj të fundvitit.

Kancelarja u shpreh se bindjet e vjetra përsa i takon bashkëpunimit global, janë nën presion, duke aluduar kështu qartazi për marrëdhëniet e tensionuara mes vendit të saj dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë vit, presidenti amerikan Donald Trump dhe Merkel patën disa përplasje mbi çështje të politikës së brendshme dhe asaj të jashtme gjermane. Gjatë 2018-tës, Merkelin e pamë të shfaqej si mbrojtëse e bindur e multilateralizmit, në kontrast me politikat e jashtme të Trumpit.

“Eshtë në interesin tonë që të marrim mbi vete më shumë përgjegjësi. Probleme, shqetësime globale si ndryshimet klimaterike, emigracioni dhe terrorizmi nuk mund të zgjidhen vetë. Me marrjen e një vendi të përkohshëm ne Këshillin e Sigurimit të OKB-së në 2019 dhe 2020, Gjermania do të këmbëngulë për zgjidhje globale”, tha Merkel.

Ne duam t’i trajtojmë këto çështje si për interesin tonë, ashtu edhe si mënyrën më të mirë për ta bërë këtë është duke marrë parasysh interesat e të tjerëve. Ky është mësimi i dy luftërave botërore të shekullit të kaluar, shpjegoi Merkel, por kjo bindje sot nuk ndahet nga të gjithë – siguria e bashkëpunimit ndërkombëtar është nën presion” shtoi ajo.

Kancelarja këtë vit arriti të shmangë kolapsin e koalicionit të saj qeverisës dhe pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet rajonale, vendosi të linte pozicionin e kryetares së partisë të cilin e kishte mbajtur per 18 vjet.

Top Channel