Fishekzjarret “shqetësojnë” edhe Gjermaninë, apel kundër hedhjes nga individët

30/12/2018 11:34

Janë shoqërues të shumë festave, por ndërrimi i viteve është praktikisht i paimagjinueshëm pa fishek-zjarret. Megjithatë, sado gëzim e hare ato të sjellin, ka edhe njerëz që nuk i duan e i konsiderojnë të rrezikshëm dhe ndotës të ambientit.

Zyra Federale e Mjedisit në Gjermani ka bërë thirrje për të hequr dorë nga hedhja e fishek-zjarreve privatisht. Me këtë mund të ulet sasia e gazit ndotës, ndërkohë që sipas drejtueses së kësaj zyre, Maria Kratzberger, ndihmon gjithashtu shëndetin e pakëson mbeturinat nëpër rrugë.

Mbrëmjen e vitit të ri shënohet zakonisht një rritje e menjëhershme e gazrave ndotës. Më 1 janar, në shumë vende përqendrimi i gazrave ndotës të imët është shumë më i lartë se gjatë vitit. Por Gerd Landsberg, drejtuesi i Shoqatës së Komunave e Qyteteve Gjermane është kundër këtij ndalimi.

“Ne duhet ta respektojmë traditën e fishek-zjarreve. Është një tradite e gjatë në Gjermani, që të presësh vitin e ri me fishek-zjarre”, ka qenë komenti i tij.

E rëndësishme është, në këndvështrimin e Landsberg, që të respektohet rregullorja e sigurisë. Por zëra kundër pati edhe në radhët e kishës. Peshkopi i Bambergut ishte një prej atyre që kërkojnë të hiqet dorë vullnetarisht nga fishek-zjarret.

“Bukë në vend të fishek-zjarreve”, është motoja edhe e organizatës evangjeliste “Buke për boten”. Më shumë se 800 milionë vetë në botë vuajnë nga uria, shprehet peshkopi, e me këto para që shkaktojnë zhurmë dhe ndotje të panevojshme, mund të ushqehen miliona vetë në botë.

Top Channel