Paraqitjet e mira në kampionatin turk të futbollit, si dhe ndeshjet e Ligës së Kombeve ku spikati me përfaqësuesen e Kosovës, e kanë vendosur Vedat Muriqin në orbitën e skuadrave të rëndësishme.

I fundit që po kërkon shërbimet e futbollisistit kosovar është Galatasaray. Ekipi nga Stambolli po kërkon sulmues, e për këtë arsye i ka hedhur sytë nga kampionati vendas.

Në orbitën e kampionëve të Turqisë, të cilët në gjysmën e parë të këtij sezoni nuk kanë shkëlqyer, ka përfunduar bomberi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi.

24-vjeçari nga Prizreni, i cili ka një të kaluar edhe në kampionatin shqiptar me fanellat e Teutës dhe Besës së Kavajës, po bën paraqitje shumë të mira në këtë kampionat, me fanellën e Rizesporit.

Në 17 ndeshje këtë sezon, Muriqi ka realizuar 5 gola në Superligën turke, duke tërhequr vëmendjen e gjigantëve nga Stambolli, e më konkretisht të trajnerit të mirënjohur të Galatasarayt, Fatih Terim.

Mbetet për t’u parë tashmë nëse të dy klubet do të arrijnë një marrëveshje për kartonin e Muriqit, në mënyrë që sulmuesi i “Dardanëve” të ketë mundësi të bëjë hapin e madh në karrierë me gjigantët turq.

Top Channel