Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha para deputetëve se mbështet ekipin e ri negociator dhe pret unitet nga spektri politik kosovar.

Në fjalimin e tij, të cilin e bojkotuan deputetët e Vetëvendosjes dhe LDK-së, Thaçi tha gjithashtu se nuk do të ketë Asociacion të Komunave serbe me kompetenca ekzekutive.

“Si president i vendit zotohem përsëri se diçka e tillë nuk do të ndodhë, në asnjë rrethanë. Pra nuk do të ketë themelim të asnjë Asociacioni me elementë ekzekutivë, që do ta defunksionalizonte shtetin e Kosovës”, tha Thaçi.

Në fjalimin e tij të fundvitit, që është detyrë kushtetuese e tij, Thaçi tha se Kosova është e përkushtuar për dialog dhe paqe, e po angazhohet me të gjitha forcat që të jetë sa më parë vend anëtar në NATO dhe Bashkimin Europian.

Duke kujtuar të shkuarën e dhimbshme në Kosovë, ai sidoqoftë tha se është koha të hidhen sytë nga e ardhmja dhe të fitohet paqja me Serbinë.

“E mirëpres themelimin e ekipit negociator, i nderuar kryetar i Kuvendit, nga Kuvendi i Kosovës dhe fillimin e punës për marrëveshje me Serbinë”, tha Thaçi.

Më herët, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli mblodhi krerët e shtetit dhe anëtarët e ekipit negociator, me qëllim unifikimin e qëndrimit për procesin e dialogut me Beogradin. Kryeministri Ramush Haradinaj, sidoqoftë e ka një “vijë të kuqe”. Në tavolinat e bisedimeve nuk do të flitet për shkëmbim territoresh.

Ekipi negociator shkon në Bruksel më 8 janar, duke pasur si kryefjalë qëndrimin e unifikuar, por ai sidoqoftë nuk ka mbështetjen e dy partive më të mëdha opozitare, LDK dhe Vetëvendosje. Këto të fundit i kanë dërguar madje letër ndërmjetësueses së dialogut, Federica Mogherini, duke kërkuar mosnjohjen e ekipit kosovar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA