Një ditë pasi kryeministri Edi Rama foli për reflektim dhe vetëkorrigjim, njerëzit e medias gjykojnë se studentët nuk janë i vetmi problem i qeverisjes së Edi Ramës.

Enton Abilekaj thotë: “Erdhi në pushtet me premtimin se do e marrë pushtetin nga oligarkët dhe do t’ia japë njerëzve, ndërkohë që është kthyer në drejtorin e PR të oligarkëve”.

Ndërsa Arion Sulo shprehet: “Nuk janë vetëm studentët në shesh, mbështetja që ata kanë… është momenti më i vështirë për Ramën. Nuk jam i sigurt që një riformatim i thellë do t’i mjaftonte për ta hedhur dimrin”.

Enton Abilekaj dhe Arion Sulo nuk kanë dyshime se largimi i pritshëm i disa ministrave është një “kockë” që hidhet për të qetësuar protestën.

“Duke parë veten në pozitë të vështirë po pushon nga puna sekretarët, po heq ca ministra. Nuk ka asnjë vlerë ndryshimi në qeveri. Duhet ndryshuar pushteti, të vijë një forcë që të marrë pushtetin dhe t’ia japë atyre që ia japin me votë”, deklaron Abilekaj.

“Nuk e di askush a do kthehen studentët në shesh. Rama shpreson që jo, Rama po i hedh ca kocka. Por, t’i hedhësh organizimin e partisë në zgjedhje, kjo nuk ka vlerë”, thekson Sulo.

Takimi i radhës në axhendën e socialistëve është të premten, me mbledhjen e Asamblesë.

“A do të fillojë nga Asambleja apo do të bëjë preludin? Se nuk i intereson tani që nuk është Parlamenti. Unë mendoj që ndryshimet realisht do të bëhen në janar”, nënvizon Abilekaj.

Ndërsa Sulo deklaron: “Jetëgjatësia e disa ministrave mund t’i krijojë vështirësi kryeministrit për largimin e tyre sepse gjërat janë rënduar. PPP, koncesione, tenderi i Unazës… Të gjitha këto krijojnë varësi kryeministër-ministër”.

Cilat janë dikasteret që rrezikojnë të preken nga ndryshimet?

Sipas Abilekajt, Ministria e Jashtme, e Arsimit dhe Infrastrukturës.

Sipas Sulos, Ministria e Arsimit, Kulturës dhe Infrastrukturës.

Top Channel