Plot 750 persona, të veshur si babagjyshë vrapuan në minimaratonën “Vrapo Babadimër” në Prishtinë, me qëllim mbledhjen e ndihmave për 500 familje në nevojë.

Paratë e mbledhura nga maratona dhe shitja e kostumeve do të shkojnë për të blerë pako me ushqime dhe dhurata, për të ndihmuar familjet në nevojë gjatë festave të fundvitit.

Organizatori i këtij aktiviteti, Jusuf Islami thotë se, synimi i tyre ishte që të mblidheshin 1.000 babagjyshë, por pavarësisht se numri nuk u arrit, në krahasim me një vit më parë do të ndihmohen më shumë familje.

“Kjo është edhe ideja e fushatës. Duke e blerë kostumin, përveçse vjen e kënaqesh, ndihmohen edhe familjet. Këtë ditë ishte edhe maratona në Luksemburg. Është mbajtur në shumë vende të botës, e një prej tyre është edhe Kosova”, tha Islami.

Këtë vit, edicioni “Vrapo babadimër” u përkrah edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ministri Kujtim Gashi tha se, një nga arsyet përse e kanë mbështetur këtë projekt, është pjesëmarrja e personave me nevoja të veçanta, për të cilët premtoi përkrahje të mëtejshme.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e mbështet për herë të parë këtë projekt, duke pasur parasysh qëllimin e tij, i cili ka për karakter humanitetin”, tha Gashi.

I pranishëm në maratonë ishte edhe ambasadori britanik Ruairi O’Connell. Pas përfundimit të minimaratonës u vlerësuan fituesit në kategorinë e fëmijëve dhe të të rriturve. Në mesin e pjesëmarrësve pati edhe fëmijë me nevoja të veçanta.

Duke iu bashkëngjitur këtij aktiviteti, Kosova bën pjesë në 60 vende të botës, në të cilat mbahet kjo minimaratonë me karakter bamirësie.

Top Channel