Ramush Haradinaj thotë se ushtria vjen në paqe dhe se propaganda serbe se Kosova do ta përdorë ushtrinë kundër serbëve në vend dhe fqinjëve, është e pabazë.

“Kosova do të qëndrojë në të drejtën e saj për ta mbrojtur veten. Ushtria jonë vjen në paqe dhe propaganda serbe se Kosova do ta përdorë ushtrinë e saj kundër serbëve në Kosovë dhe fqinjëve, është e pabazë. Ushtria e Kosovës është moderne, multietnike dhe është rritur bashkë me partnerët tanë NATO-n e KFOR-in dhe do vazhdojë të qëndrojë në këto vlera”, ka shkruar ai në Facebook.

Një ditë më parë, Kosova festoi krijimin e ushtrisë së saj, ndërsa sot, në ditën e parë të tij si kryekomandat i ushtrisë së re, presidenti Hashim Thaci, ka zgjedhur të bëjë homashe në Prekaz, ku edhe tha se po realizohet amaneti i dëshmorëve të lirisë

“Në ditën e parë të funksionimit të Ushtrisë së Kosovës, sot jam këtu së bashku me kryetarin Jashari dhe kryetarin Lushtaku që të bëjmë nderimet më të larta kombëtare institucionale dhe shtetërore për jetën dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë. Kjo po tregon se po realizohen objektivat dhe amaneti i dëshmorëve të lirisë”, tha Thaçi.

Thaci, e nisi ditën  me homazhe tek shtatorja e dëshmorit Zahir Pajaziti, për të vazhduar më pas te varrezat në Velani, ku bëri homazhe te varri i presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

 

Top Channel