NATO ka reaguar shumë shpejt, pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, ku u votua për transformimin e FSK-së në ushtri të vendit.

“Sot, institucionet në Kosovë njoftuan miratimin e 3 pr.ligjeve që i hapin rrugë procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, nis deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Më vjen keq të them se ky vendim është marrë, pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO. Edhe pse transformimi i FSK-së është në parim një çështje e brendshme për të cilën vendos Kosova, ne e kemi bërë të qartë prej kohësh se kjo lëvizje po bëhet në kohën e gabuar”, shkruhet nga Stoltenberg.

NATO mbështet zhvillimin e mëtejshëm të FSK-së nën mandatin aktual, por me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhet të rishikojë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në. Gjithsesi, “NATO mbetet e angazhuar, përmes KFOR-it, për një mjedis të qetë dhe të sigurtë në Kosovë, si dhe për stabilitetin më gjerë në Ballkanin Perëndimor”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u kërkon gjithashtu palëve që të garantojnë se vendimi i sotëm nuk do të përshkallëzojë më tej tensionet në rajon.

“Të gjithë aktorët politikë përgjegjës në rajon duhet të fokusohen në progresin e reformave dhe në dialog. Ripërsëris thirrjen time ndaj Prishtinës dhe Beogradit që të ruajnë qetësinë dhe të përmbahen nga çdo deklaratë apo veprim që mund të shkaktojë përshkallëzim të situatës”, shkruan Stoltenberg.

NATO do të vijojë të mbështesë dialogun e sponsorizuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, si e vetmja zgjidhje politike afatgjatë për rajonin.

Top Channel