Njerëzimi ka përparuar shumë me fuqinë për të kontrolluar ADN-n, kodin bazë të jetës. Një teknologji e re që modifikon gjenet, e quajtur ‘Crispr-Cas9”, e cila u zbulua në vitin 2012, ka sjellë emocione të shumta. Kjo teknologji lejon që ADN-ja të modifikohet lehtësisht, duke ngritur kështu shpresa se mund të përdoret për të ulur vuajtjet njerëzore. Megjithatë, ky program shkaktoi më shumë shqetësime se optimizëm kohët e fundit, pasi një shkencëtar kinez tha se kishte modifikuar gjenet e dy vajzave binjake që kur ishin embrione.
Shkencëtari ishte pjesë e universitetit të Shkencës dhe të Teknologjisë në Shenzen, Kinë (universiteti nuk ishte përfshirë në këtë proces). Ai tha se kishte krijuar një embrion që ishte rezistent ndaj infeksioneve të SIDA-s, ndërsa embrioni i binjakes tjetër, jo. Këto gjene të modifikuara do të kalohen edhe te brezi pasardhës i vajzës që do të lindë, e pastaj brez pas brezi, dhe ende nuk dihet me siguri se çfarë modifikimi ka bërë profesori Hi Xhiankui. Por është çështje kohe para se dikush tjetër të përsërisë gjëra të tilla, ndaj qeveritë duhet të bëjnë kujdes.
Ta zëmë se deklaratat e zotit Hi janë të vërteta për rezistencën ndaj HIV. Një ditë mund të jetë e logjikshme t’i modifikosh embrionet dhe për të shëruar sëmundjet gjenetike. Ajo ditë nuk ka ardhur ende. Kjo teknologji është aq e re sa gabimet e mundshme të njerëzve nuk i justifikojnë dot dobitë. Shkencëtarët nuk e kanë ende aftësinë të dinë se ç’dëme mund të sjellë kjo teknologji, pasi modifikimi mund ta ketë lënë vajzën të hapur ndaj ndonjë sëmundjeje tjetër. Mund të vdesë edhe nga një grip, për shembull.
Puna e zotit Hi i ka shpëtuar mbikëqyrjes së shkencëtarëve dhe një zv/ministër tha se është bërë kundër rregullores. Zoti Hi u tha delegatëve në një konferencë të mbajtur në Hong Kong, për ndryshimin e gjeneve, se ai kishte komunikuar me katër persona para se ta zbatonte idenë. Duket se përgjegjësinë më të madhe, gjithsesi, e ka vetë, pasi ai ka vendosur nëse ia vlente eksperimenti apo jo te një qenie njerëzore. Nuk është e qartë nëse prindërit e fëmijës ia kanë dhënë lejen të ndërhyjë.
Por procedura as nuk ka qenë e nevojshme. Vajza ka marrë mbrojtje nga një virus që ajo mund të mos e hasë kurrë, gjithsesi. (edhe pse babai i saj është me HIV, sperma e tij ishte pastruar nga virusi për të shmangur infektimin gjatë sterilizimit). Sidoqoftë, për sëmundjen tani ka kujdes të përmirësuar mjekësor. Nëse raportimet janë të sakta, fëmija e dytë është vënë në rrezik nga ndërhyrja, por mund të preket nga HIV.
Ideja që një shkencëtar mund të ndërmarrë hapa të tilla për të modifikuar qelizat riprodhuese është dënuar nga të gjithë, por nuk është përjashtuar si mundësi. Edhe nëse zoti Hi del se është mashtrues, ka shumë shkencëtarë të tjerë që kanë motivimin dhe mundësitë për të bërë ndërhyrje të tilla. “Cripsr” nuk është teknologji shumë e ndërlikuar për t’u zbatuar. Dhe kjo sjell dy përgjigje:
Përgjigjja e parë është praktike: të shtohet kontrolli mbi klinikat e fertilitetit, ku mund të jenë mjekët që kanë mundësinë të ndryshojnë gjenet. Kjo duhet të vlejë jo vetëm për Kinën, por edhe në vende të tjera.
Përgjigjja e dytë është që duhet bërë një debat i qartë për të përcaktuar se kur duhen bërë ndërhyrje. Duke modifikuar qeliza jo të shëndetshme e që vuajnë nga sëmundje, si distrofia muskulore apo fibroza cistike, mund të shmangësh vuajtje të shumta. Por eksperimenti i zotit Hi nuk është nevojitur, pasi klinikat e fertilitetit i kontrollojnë embrionet për gjene të padëshiruara.
Ky modifikim mund të përdoret një ditë për të përmirësuar gjenet e për t’i bërë njerëzit më të zgjuar, në vend që të shërojnë sëmundje. Por kjo kërkon shumë politika rregullatore dhe mendime nga shoqëria civile e shkencëtarët, sidomos për pyetjet e thella etike që ngrihen. Puna për të zhvilluar modifikimin e gjeneve është në vazhdim.
Këtë vit, Këshilli Nufilld i Bioetikës, një grup ekspertësh në Britani, vlerësoi se ndryshimet e sjella nga modifikimi i gjeneve nuk duhet të shkaktojnë diskriminim e përçarje në shoqëri, dhe se ndryshime të tilla do të dëmtonin mirëqenien e njerëzve në të ardhmen. Debate të tilla do të duhen gjithnjë, por tani duhen bërë me urgjencë.
The Economist
Top Channel