PD, Xhaferraj: Korrupsioni i Dakos po shkatërron Durrësin

03/12/2018 19:38

Rishikim të projekteve dhe analizë ekonomike të gjitha investimeve që ka kryer bashkia e Durrësit përgjatë viteve të fundit. Kështu është shprehur kryetari i degës së Partisë Demokratike për Durrësin, Ferdinand Xhaferaj, në një dalje publike në qendër të qytetit bregdetar.

Shkak për këtë dalje publike të kreut të PD-së është bërë një rrethrrotullim që bashkia bëri pak ditë më parë në qendër të qytetit dhe pas përfundimit e ktheu menjëherë në gjendjen e mëparshme pasi shkaktonte kaos në trafik.

“Të gjithë jemi dëshmitarë që ditë më parë, Bashkia ndërhyri me paratë e qytetarëve dhe vendosi të bëjë një rrethrrotullim. Dy tre ditë më parë ky rrethrrotullim zhduket. 3 Vite më parë u hodhën qindra milionë lekë para të qytetarëve durrsakë për të bërë rrugën paralel me portin. Rruga sërish cachet dhe ribëhet sepse në kushtet e një mungesë vizioni, rruga ishte bërë pa kanalizimet. Në plazhin e Durrësit, çdo vit ndërhyhet, bëhet dhe ribëhet rruga. Vihen palma, hiqen palma dhe kalben palma. Natyrisht qytetarët pyesin se çfarë po ndodh në këtë qytet. Shkaqet dihen. Janë paaftësia, mungesa e vizionit, arrogance, korrupsioni”, tha Xhaferraj.

Xhaferraj tha se lidhja me krimin dhe vizioni që ai ka për qytetin e bëjnë Vangjush Dakon të padenjë për të drejtuar Durrësin. Bashkia e Durrësit ka kryer një sërë investimesh që nuk janë pritur mirë nga qytetarët durrsakë, siç është ngushtimi i rrugëve dhe zgjerimi i trotuareve, deri tek rruga “Pavarësia” në Plazh, e cila shkakton kaos në trafik gjatë muajve të verës.

Top Channel