Cristiano Ronaldo nuk mund të gjejë qetësi sa u përket akuzave për përdhunim ndaj Kathryn Mayorgas në vitin 2009.
Revista gjermane “Der Spiegel” e ka vënë sërish në shënjestër sulmuesin e Juventusit, duke zbuluar dokumente të reja në lidhje me këtë çështje, e që rëndojnë mbi futbollistin.
Sipas asaj që publikohet te kjo revistë, ekzistojnë dy pyetësore në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2009, që avokatët ia kishin dhënë Ronaldos për t’i plotësuar, për të përgatitur kështu edhe strategjinë e mbrojtjes.
Njëri prej pyetësorëve ishte përpiluar në muajin gusht e tjetri në dhjetor, dhe në përgjigjet e tyre kishte disa mospërputhje mes dy pyetësorëve.
“Der Spiegel” citon një dokument prej 41 faqesh me titullin “Pyetje për klientin”, që ishte dërguar nga një studio ligjore e avokatit të Cristiano Ronaldos, Carlos Osorio de Castro.
Në harkun e 4 muajve, përgjigjet e disa pyetjeve ishin ndryshuar, gjë që tregon punën e bërë nga avokatët për të hedhur poshtë akuzat e Mayorgës. Kështu, pyetjes nëse “Zonja C” ngriti zërin apo bërtiti, Ronaldo në muajin gusht iu përgjigj “Ajo tha jo dhe ndaloi”, ndërsa në muajin dhjetor ishte ndryshuar në “Jo”.
Tjetër mospërputhje mes dy pyetësorëve u pa edhe në përgjigjet për pyetjen nëse “Zonja C” foli pas raporteve seksuale. Në versionin e parë, Mayorga e cilësoi Ronaldon “idiot” dhe se “ai e detyroi”, me portugezin që i tha se “i vinte keq”. Ndërsa sipas versionit të dytë, Mayorga nuk kishte thënë “asnjë fjalë” pas asaj që ndodhi.
Top Channel