Këtë të hënë, në Pejë u zhvillua mbledhja e përbashkët e dy qeverive të Shqipërisë e Kosovës. Kryeministri Rama mbështeti vendimin e Prishtinës për vendosjen e tarifës 100% ndaj çdo produkti serb e boshnjak që hyn në Kosovë.

Në lidhje me këtë çështje, që hap një histori të re edhe në marrëdhëniet tregtare e ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës, i ftuar në studion e emisionit “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja ishte ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka.

Por përse u zgjodh pikërisht ky moment për vendosjen e kësaj takse ndaj Serbisë? Ndonëse u shpreh se kjo gjë është dashur të ndërmerrej edhe më herët, ministri Lluka thotë se ka ndodhur tani, sepse ndërsa Kosova përpiqet të dialogojë e negociojë me Serbinë për zgjidhjen e disa çështjeve mbi tavolinë, “Serbia vazhdon të lobojë kundër Kosovës sa u përket njohjeve, ka bindur disa shtete të varfra të tërheqin njohjet e tyre, ndërkohë që lobon dhe pengon anëtarësimin e Kosovës në Interpol”.

“Veç këtyre, Serbia vazhdon të mos implementojë marrëveshjen për energjinë që kemi nënshkruar 5 vite më parë, e në vazhdimësi sjell probleme për vendin. Si hap i parë është pikërisht kjo formë sanksionimi, në mënyrë që të vazhdojmë më tej në negociata. Kjo është një formë paralajmëruese, sepse forma e drejtpërdrejtë do të ishte bllokimi total i importit, duke ditur se Kosova është një treg i rëndësishëm për Serbinë, me rreth 480 milionë euro. Por nëse nuk gjejmë bashkëpunim me palën serbe, atëherë kjo do të bëhet edhe më agresive”, tha ministri Valdrin Lluka.

Me vendimin e Kosovës nuk taksohen vetëm produktet serbe, por edhe ato boshnjake. Arsyen e shpjegon ministri kosovar për Zhvillimin Ekonomik.

“Edhe ndaj Bosnje-Hercegovinës, sepse jo vetëm që nuk është treguar bashkëpunuese në këtë aspekt dhe nuk e njeh Kosovën, por vazhdon të ketë probleme me qytetarët e Kosovës që nuk votojnë dot në Bosnje, apo u duhet vizë për të udhëtuar atje. Kemi edhe probleme me eksportet në Bosnje, pasi nuk i njeh certifikatat tona shtetërore. Edhe pse Bashkimi Europian është sponsorizues dhe lobon për hapje tregu, apo për krijimin e një Zone të Përbashkët Ekonomike rajonale, kjo nuk po ndodh as me Serbinë dhe as me Bosnjen”, tha Lluka.

Gjithsesi, tarifa e vendosur nga Qeveria e Kosovës nuk është pranuar nga Bashkimi Europian. Ministri është pyetur nëse ky ka qenë një hap i njëanshëm i qeverisë kosovare, apo kanë pasur në njëfarë mënyrë një miratim nga Brukseli zyrtar.

“Jo, është një hap i njëanshëm nga Qeveria e Kosovës, edhe pse nuk presim që të na krijojë probleme, sepse Brukseli është në dijeni të të gjitha problemeve që ne kemi. Ky hap do të duhet të konsiderohet prej tyre si fillestar dhe shumë i lehtë, në krahasim me dëmet që i shkaktohen Kosovës nga pala serbe. Vetëm me mosimplementimin e marrëveshjes së interkonjeksionit për energjinë, Kosova humbet rreth 25 milionë euro financa të drejtpërdrejta, pa llogaritur përfitimet indirekte nga krijimi i një tregu të përbashkët energjetik me Shqipërinë për shembull, apo mosthemelimi i Bursës Energjetike shqiptare, mes dy vendeve tona”, deklaroi ministri kosovar.

Por a i frikësohen qeveritarët e Kosovës masave të reciprocitetit nga Serbia kundër tyre?

“Nuk ka arsye – thotë më tej ministri, – pasi jemi ne që do të ishte dashur të ndërmerrnim masa reciprociteti shumë kohë më parë, për shumë çështje të ndryshme. Sot ne kemi 500 milionë euro importe nga Serbia dhe vetëm 20 milionë eksporte, kështu që dëmi është shumë herë më i madh ndaj tyre. Duhet të sjellim në vëmendje se jemi ne nga Kosova që hasemi me pengesa kur kalojmë kufirin drejt Serbisë, duke paguar taksa apo duke mbuluar targat me flamujt e Kosovës, ndërsa serbët kalojnë pa kurrfarë pengese nga vendi i tyre drejt nesh. Kemi një pabarazi totale dhe në njëfarë mënyrë duhet ta ndalojmë në një moment këtë, sepse është bërë një kohë e gjatë që vazhdon kjo situatë”.

Por a do të ndryshojë tashmë trendi i shkëmbimit tregtar nga midis Kosovës dhe Serbisë, në midis Kosovës dhe Shqipërisë?

“Kjo mbetet në dorën e sektorit privat. Detyra jonë është organizimi i takimeve mes Dhomave Tregtare të Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që të intensifikojmë takimet për shkëmbime të mundshme. Sigurisht duhet të shikohen edhe format sesi të përkrahet ky shkëmbim. Qeveritë e të dyja anëve kanë shumë punë për të bërë. Duhet gjetur pikërisht rruga për të shembur atë ‘mur real tregtar’ mes dy vendeve tona, edhe pse në kufi ekziston vetëm një ‘mur virtual’ për kalimin e qytetarëve”, tha ministri.

Duke ia faturuar disi historisë, bashkëpunimin e kahershëm tregtar, edhe përpara luftës, mes shqiptarëve e serbëve, që ka sjellë më shumë lirshmëri për futjen e produkteve serbe, sesa atyre mes shqiptarëve, ministri Lluka thotë se ndryshimi mund të ndodhë vetëm nëse qeveritë së bashku marrin masa më agresive drejt subvencionimit, me kusht që bashkëpunimi të jetë vendas mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Inkurajimi i tregtisë së brendshme është çëlësi kryesor. Serbia vazhdon të sjellë produkte që nuk përshtaten me ambalazhimin, si me miellin që na ka ndodhur, teksa tjetër gjë përshkruhet në ambalazhim dhe tjetër produkt gjendet brenda. Pavarësisht se ne e kemi legjslacionin në fuqi për ta penguar këtë, nuk kemi mundur ta ndalim efektivisht”.

A ka për ministrin kosovar, një ngërç real marrëdhëniesh tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës, aktualisht që flasim?

“Po, ka, sepse shkëmbimi tregtar është i vogël. Një pjesë e fajit është ndoshta fakti që ne në Kosovë jemi rritur me produktet e Serbisë që përpara luftës dhe do të duhet kohë e fushata të shumta që të edukohen njerëzit të mos konsumojnë produkte serbe. Nga ana tjetër, edhe në Shqipëri tregu dominohet prej kohësh nga produkte italiane e greke, për arsye kulture. Sa i përket besueshmërisë së produkteve shqiptare që shkojnë në Kosovë, apo anasjelltas, do të thoja se trendi është shumë pozitiv. Nëse disa vite më parë ka munguar besueshmëria, tani me standardet e reja është rritur së tepërmi. Ndoshta nuk jemi atje ku duhet, por brenda pak viteve kemi përparuar dhe ndoshta brenda pak vitesh do të mund ta ndryshojmë tërësisht panoramën aktuale”, tha ministri Valdrin Lluka.

Në fund, shefi i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës i është përgjigjur edhe pyetjes mbi ekzistencën apo jo të monopoleve që po bllokojnë shkëmbimet tregtare dhe përhapjen e një lloj marrëdhënieje të zhdëvjelltë midis Kosovës dhe Serbisë.

“Emra nuk kam, por monopolet ekzistojnë siç është rasti i Serbisë që rezulton importuesi më i madh, për shkak të tregut që kanë gjetur produkte të veçanta, por nuk është çështje monopolesh. Besoj se me disa fushata të fuqishme dhe me një subvencionim nga ana e shteteve për prodhuesit vendorë, për produktet më strategjike që kanë vendet tona, mund ta luftojmë këtë dukuri negative”, tha Lluka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA