Këshilli i Ministrave miraton vendimin për Policinë e Shtetit, zbulohet kush është pasardhësi i Ilir Prodës

30/03/2026 12:49

Me propozim të ministrit të Brendshëm, qeveria emëroi Skënder Hitën Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili e ka nisur udhëtimin në polici para 25 vitesh.

Ky post kishte mbetur vakant prej largimit nga detyra të kryepolicit Ilir Proda, i cili mori kartonin e kuq pas protestës së opozitës, që kulmoi me sulmin ndaj vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha.

Emërimi i Skënder Hitës u njoftua përmes rrjeteve sociale menjëherë, pasi atij i është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhënia e gradës drejtues Madhor, dhe në mbyllje të garës me 13 kandidatë të intervistuar, jo shumë larg shikimit të amerikanëve.

Skënder Hita i ka ngjitur shkallët e karrierës një e nga një, duke nisur si inspektor në disa komisariate, më pas duke drejtuar sektorë të hetimit të narkotikëve, kundër krimit të organizuar, hetimit financiar dhe forcës operative.

Më tej, nga viti 2021, i janë besuar njëra pas tjetrës postet e drejtorit të policisë në Shkodër, më pas në Dibër, Durrës dhe së fundmi në Fier. Gjatë marrjes së këtyre detyrave, në prezantimin e filozofisë së tij, Skënder Hita ka kërkuar punë në ekip, të shprehur përmes motos, “Asgjë nuk bëhet vetëm”.

Përveç diplomës në Akademinë e Policisë, kryepolici i ri, që ka mandat 5-vjeçar, rezulton të jetë trajnuar nga amerikanët në vitin 2002 me temën “Korrupsioni dhe policia”, në vitin 2008 i është dhënë certifikatë mirënjohjeje për goditjen e 12 grupeve kriminale dhe ka specializim të posaçëm për agjentët nën mbulim dhe trafikimin e armëve të zjarrit.

Përveç sfidave të policisë, që janë garantimi i rendit dhe sigurisë publike, Skënder Hitën e presin tre detyra të para, e para, cila do të jetë qasja e policisë gjatë protestave të thirrura nga opozitam e dyta, të zhbllokojë procesin e garës për dy departamentet e bllokuar nga gjykata, nisur nga precedent Aida Hajnaj, dhe e treta, të kthejë besimin e SPAK tek policia, që vazhdimisht është ankuar për dekonspirime aksionesh.

Top Channel