Pas zjarreve, Kalifornia po përballet me një tjetër kërcënim. Shiu ka nisur në pjesën veriore të shtetit duke ndihmuar në shuarjen e flakëve, por bashkë me të është rritur edhe frika e rrëshqitjeve të dheut që mund të vështirësojnë përpjekjet e rindërtimit.
10-15 centimetra shi pritet të bien në ditët në vijim dhe disa zona janë paralajmëruar të përgatiten për përmbytje. Të paktën 83 vetë kanë humbur jetën në zjarret që përfshinë shtetin. Më shumë se 563 të tjerë ende mungojnë në apel pas të ashtuquajturit Camp Fire që shkatërroi qytetin Paradise. Punonjësit kanë gërmuar nën rrënojat e më shumë se 10 mijë shtëpive që janë djegur tërësisht.
Shiu nisi të binte të mërkurën dhe janë këto reshjet e para për shtetin e Kalifornisë në rreth gjashtë muaj. Ai erdhi si një clirim për qytetet më pak të prekura nga zjarret. Të mërkurën pasdite, tymi nisi të largohej nga ajri në San Francisko. Sidoqoftë, shërbimi kombëtar i motit thotë se ka një rrezik real për rrëshqitje dheu pasi tashmë nuk ka bimësi për të mbajtur tokën.
Top Channel