Numërimi mbrapsht ka nisur. Shqipëria luan ndaj Skocisë ndeshjen e fundit në grupe të Nations League. Mundësitë për kualifikim tashmë janë kompromentuar, do të duhet një mrekulli nga ato që ndodhin rrallë në futboll. Një fitore 4-0 e kuqezinjve në “Loro Boriçi”, e ndërthurur me një sukses minimal të skocezëve ndaj Izraelit tri ditë më pas, do të thoshte një mrekulli për kuqezinjtë.

Presidenti Duka ishte i qartë. “Nëse fitojmë dhe e mbyllim grupin me pikë të barabarta me rivalët, nuk mund të konsiderohet një dështim”. E lexuar mes rreshtave, një fitore i lejon trajnerit të tentojë kualifikimin në Europian edhe nëpërmjet kualifikueseve.

Çfarë ndodh me një humbje? Vendi i fundit dhe rrëzimi nga Liga C do të linte pak vend për përkufizimin e kësaj aventure. Gjithsesi nuk luhet për Panuccin, Shqipëria luan fatin e saj. Luhet për të kthyer besimin dhe prestigjin, me epokën “post De Biasi” që po rezulton vërtet e vështirë.

Shqipëria ka fituar vetëm një ndeshje në 7 takime të luajtura gjatë vitit 2018. Klima nuk është më e mira, por për lojtarët, rezultatet e fundit mund të shërbejnë për të shtrënguar fort dhëmbët dhe provuar deri në fund këtë herë.

Europiani është aty, për t’u tentuar, edhe nëse nuk hyhet nga dera e Nations League, por bazat për të ardhmen hidhen që tani.

Në “Hampden Park” humbisnim 2-0, me pengjet e një goli jashtë loje dhe sidomos për mundësitë e shpërdoruara para portës. Këtë herë nuk do të jenë Migjen Basha dhe Elseid Hysaj, krijuesi i lojës dhe një lider i mbrojtjes dhe i gjithë skuadrës.

Duhet të mos pësojmë dhe, mbi të gjitha, të gjejmë rrjetën kundërshtare, në mision i parealizuar në tri ndeshjet e fundit. Na duhet forcë, shpirt grupi, inteligjencë dhe besim. Skocia nuk është një kundërshtar i pakalueshëm. Në “Loro Boriçi” luhet për të tashmen dhe të ardhmen. Ndeshjen do të mund ta ndiqni në paketën Supersport të platformës Digitalb.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA