Mazhoranca, ftesë opozitës për Unazën e Re dhe kundër bojkotit

15/11/2018 14:56

Nga salla plenare e Parlamentit, mazhoranca akuzoi opozitën se po pengon ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, duke krijuar beteja që shumica e majtë i quan idioteske.

“Pas dështimit me parkun te liqeni, pas dështimit me sheshin “Skënderbej”, pas historisë së kotë me teatrin, tani kemi betejën idioteske për të penguar ndërtimin e unazës”, deklaroi Taulant Balla.

Numri dy i socialistëve u sugjeroi protestuesve që t’i kërkojnë shpjegime kreut të opozitës, pasi, sipas Taulant Ballës, është vetë Lulzim Basha ai që ka firmosur gjurmën e zgjerimit të unazës, në bazë të së cilës përcaktohen objektet që duhen shembur: “Lulzim Basha ka firmosur dhe vulosur përcaktimin e gjurmës së unazës. Unaza do të bëhet”.

Nuk mungoi as apeli drejtuar opozitës që t’i japë fund bojkotit të Parlamentit e të bëhet pjesë e diskutimit javën e ardhshme të buxhetit 2019: “Nuk ka diskutim politik më të rëndësishëm për një deputet sesa buxheti dhe paketa fiskale”.

I kthyer nga Brukseli, ku të mërkurën u mblodh Këshilli i Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, ministri i Jashtëm tha se Europa konfirmoi stadin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, por, sipas tij, partnerët nuk kuptojnë sjelljen e opozitës: “Është e pakuptueshme nga partnerët refuzimi i opozitës për Shkollën e Magjistraturës. Është i pakuptueshëm refuzimi apo pengimi i opozitës për vetting-un”.

Gjatë kësaj seance, kryeparlamentari Gramoz Ruçi njoftoi futjen në punimet e Parlamentit të dekretit të Presidentit Ilir Meta për kryetarin e ri të KLSH-së: “Ka mbërritur dekreti i Presidentit me propozimin e zonjës Vitore Tusha si kryetare e KLSH-së”.

Dekreti do të ndjekë procedurat parlamentare duke filluar diskutimin në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA