Qeveria e Maqedonisë ka siguruar dy të tretat e nevojshme në Kuvend, për votimin edhe të fazës së dytë dhe të tretë të ndryshimeve kushtetuese, të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë.

Qeveria ka hartuar këtë të premte amendamentet kushtetuese, pas bisedimeve që ka pasur kryeministri Zoran Zaev me grupin e ri parlamentar, apo 8 deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja.

Arritjen e marrëveshjes me këtë grup deputetësh, disa prej të cilëve po gjykohen për vepra të rënda për dhunën e 27 prillit në Kuvend e disa të tjerë janë nën hetim, e ka konfirmuar edhe kryeministri Zoran Zaev.

“Për mua, ky proces është shumë i rëndësishëm për herë të parë nëse janë siguruar dy të tretat për çështje kaq të rëndësishme, siç është Kushtetuta. Më vjen mirë që nëpërmjet procesit të pajtimit gjetëm gjuhën e përbashkët edhe me deputetë të tjerë. Unë besoj se qëndrimi i tyre për të mbështetur ndryshimet në fazën e parë, tani do të arsyetohet me heqjen e të gjitha dilemave sa i përket identitetit tonë”, tha Zaev.

Zaev ka bërë të ditur madje edhe vendimin, që pjesë e preambulës të jetë edhe marrëveshja e Ohrit. Marrëveshja e arritur është konfirmuar edhe nga grupi i deputetëve të larguar nga VMRO-DPMNE-ja.

Kjo e fundit ka udhëhequr opozitën me grupin më të madh parlamentar, por nga 51 deputetë që kishte, tani ka 39. Pavarësisht kësaj dhe pamundësisë që të bllokojë ndryshimet kushtetuese, ajo mbetet në qëndrimin se marrëveshja me Greqinë për emrin është e keqe për vendin dhe se sërish do të votojë kundër.

Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen sipas qeverisë deri në mes të muajit janar të vitit të ardhshëm, në mënyrë që të vijohet me procedurat e tjera: nënshkrimi i protokollit me NATO-n dhe ratifikimi i marrëveshjes për emrin edhe në Parlamentin e Greqisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA