Dhunoi “me porosi”, arrestohet 32-vjeçari. Shpallen në kërkim porositësi dhe bashkëpunëtori

28/10/2018 12:44

Një 32-vjeçar është arrestuar nga policia, në vazhdën e hetimeve për një ngjarje të ndodhur të enjten e 25 tetorit në Kamëz, ku përplasi qëllimisht me automjetin e tij një mjet tjetër, për t’u përleshur më pas fizikisht me drejtuesin e këtij të fundit, duke përdorur edhe një armë zjarri.

Elis Ademi dyshohet për “vrasje të mbetur në tentativë”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “shkatërrim i pronës” dhe “prishje e qetësisë publike”, veprat penale për të cilat do të hetohet nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës.

Sa i përket ngjarjes së të enjtes, Ademi është arrestuar në cilësinë e autorit të sulmit ndaj shtetasit I.Xh., ndërkohë që është shpallur në kërkim shtetasi F.M., bashkëpunëtor i Ademit, me këtë të fundit që ishte paguar nga shtetasi S.C., edhe ky i shpallur në kërkim në cilësinë e porositësit, për të dhunuar fizikisht personin I.Xh. në këmbim të një shume monetare.

Policia ka mundur të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale edhe armën e zjarrit, të cilën shtetasi Elis Ademi e kishte hedhur në Qerek, në zonën e Fushë Krujës.

Top Channel