Kancelarja gjermane, Angela Merkel përballet këtë të dielë me një test të dytë zgjedhjesh rajonale në po kaq javë, që pritet të shkaktojë më shumë dhimbje për koalicionin e saj të dobësuar dhe të forcojë forcat centrifugale që mund ta përçajnë atë.

Më herët gjatë këtij muaji, votuesit bavarezë braktisën në masë dy aleatët, te të cilët Merkel mbështetet për aleancën qeverisëse kombëtare në Berlin, konservatorët e thekur të Unionit Kristian-Social (CSU) dhe Socialdemokratët (SPD) e qendrës së majtë.

E duke qenë se ato rezultate nuk janë kapërdirë ende në kryeqytetin gjerman, tashmë është radha e votuesve në Hesse për të thënë fjalën e tyre, ndërkohë që kryeministri i këtij shteti, Volker Bouffier, një “ushtar besnik” në Unionin Kristian-Demokratik (CDU) të Merkelit, përballet me një udhëtim të ashpër.

Me mbështetjen prej 26 për qind sipas sondazheve, krahasuar me 38% të para 5 viteve, dega e CDU-së në Hesse “mund të ketë pushuar për një kohë të gjatë nëpër dafina”, shkruan gazeta e kryeqytetit të këtij shteti, “Wiesbadener Kurier”. “Me sa duket, parimi i Merkelit ka qenë: një politikë e njëtrajtshme dhe e qëndrueshme, e lidhur me vetëdijen se votuesit do të dinë se kë të falënderojnë, nëse ata po punojnë mirë në qeveri”.

Por, në vitet e fundit, formula e Merkelit “për një qeveri kompromisi dhe lënien në një cep të ndonjë kritike” e ka humbur sharmin e saj, e tashmë sondazhet sugjerojnë lodhjen e votuesve me aleancat e “koalicioneve të mëdha” të përsëritura të saj me SPD-në.

“Të dyja partitë e mëdha kanë mangësi të dukshme në përgjigjet kreative dhe të orientuara për nga e ardhmja, përballë pyetjeve të mëdha”, komenton e përditshmja “Suddeutsche Zeitung”, për të shtuar se “kjo është mënyra sesi partitë rrjedhin gjak deri në vdekje”.

Dy parti më të vogla kanë përfituar më së shumti nga lodhja e votuesve me “partitë popullore” që kanë dominuar politikën e Gjermanisë së pasluftës. Njëra është ajo e ekstremit të djathtë, antiemigracion, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), ndërsa tjetra është ajo e ekologjistëve me prirje të majta “Të gjelbrit”.

“AfD”-ja ka hyrë në 15 nga 16 parlamentet shtetërore në Gjermani, madje edhe në Bundestagun federal, kryesisht për shkak të kundërshtimit ndaj politikave të hapura ndaj emigracionit të Angela Merkelit. Partia që proteston ndaj kujtdo pritet të thithë vota nga CDU-ja dhe SPD-ja për të hyrë në legjislativin e Hesse me një përqindje të ulët, gjithsesi dyshifrore sipas sondazheve.

Ndërkohë “Të gjelbrit”, të cilët edhe aktualisht janë partnerë të vegjël qeverisës në Hesse, pritet gati të dyfishojnë përqindjen e votave të vitit 2013 deri në 22%, duke tejkaluar 17.5 përqindëshin e regjistruar në Bavarinë konservatore.

Partia tërheq më së shumti votues që favorizojnë mirëpritjen e refugjatëve, shqetësohen për ndryshimet klimatike, por janë të ngopur me privilegjet e partive të mëdha ndaj kompanive të automjeteve, gjatë skandalit thuajse njëvjeçar mbi emetimet e dëmshme nga makinat me naftë.

Udhëheqësi i “Të gjelbërve” në Hesse, Tarek al-Wazir parashikon gjithashtu se partia do të përfitojë edhe nga zhgënjimi i votuesve me grindjet që kanë tronditur koalicionin e Merkelit në muajt e fundit, mbi të gjitha për shkak të çështjes “bërthamë” të “AfD”-së, emigracionin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA