Në jo pak raste individët që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare, edhe nga brenda qelive kanë vijuar aktivitetin kriminal duke mbajtur kontakte dhe lidhjet me jashtë. Por një propozim i qeverisë i kërkon parlamentit shtimin e një neni në ligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve, parashikon që një kategori e veçantë e të dënuarve t’i nënshtrohen një regjimi të posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë.

Bëhet fjalë për personat me rrezikshmëri të lartë shoqërore të dënuar për vepra të rënda penale si pjesëmarrës në grup të strukturuar kriminale, organizatë kriminale, bandë e armatosur apo organizatë terroriste.

Në bazë të nenit kërkohet të shtohet në ligj, parashikohet që edhe takimet me familjarët të këtyre personave të regjistrohen audio dhe video si dhe po ashtu edhe telefonatat.

Për takimet ose telefonatat e këtyre individëve duhet marrë miratimi i drejtorit të përgjithshëm të burgjeve dhe prokurorit. Po ashtu, për këto persona parashikohet reduktimi i qëndrimit në ajrim në mjedise të hapura, por jo më pak se një orë në ditë.

Me kërkesë të të dënuarit apo paraburgosurit, pas një periudhe 1-vjeçare ministri i drejtësie mund të rivlerësoje nëse janë kushtet për vazhdimin e regjimit të posaçëm, por pasi të konsultohet me prokurorin, Ministrin e Brendshëm dhe strukturat e krimit të organizuar apo institucione të tjera. Edhe në realionin shoqërues të projektligjit, këto ndryshime cilësohen emergjente për të shmangur kontakte e këtyre individëve me organizatën kriminale ku bëjnë pjesë apo organizata aleate.

Top Channel