Shefat e disa prej bankave dhe firmave të financave më të mëdha të Evropës janë tërhequr nga një konferencë e investimeve e profilit të lartë, në Arabinë Saudite, duke iu bashkuar një liste në rritje të shefave të biznesit që po braktisin eventin mes shqetësimit të gjerë për fatin e gazetarit Khashoggi.
Drejtuesit kryesorë të HSBC, Standard Chartered, Credit Suisse dhe Bursa e Londrës, si dhe Kryetari i BNP Paribas u tërhoqën të martën nga Iniciativa për Investime të Ardhshme.
Tërheqjet ndjekin ato të mëparshmet nga drejtuesit më të lartë të financave të SHBA-së, duke përfshirë CEO-n e JPMorgan, Jamie Dimon dhe vijnë në mes të presionit në rritje nga ndërkombëtarët ndaj Arabisë Saudite, rreth zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi.
Khashoggi, një banor i SHBA-ve dhe kritik kryesor i princit të kurorës të Arabisë Saudite, u zhduk pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.
Korporata e Qytetit të Londrës, e cila udhëheq zonën financiare të kryeqytetit, tha se kryesuesi i Politikave dhe i Burimeve, Catherine McGuinness, nuk do të merrte pjesë më.
“Ne mbështesim thirrjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për autoritetet saudite që të bashkëpunojnë plotësisht me hetuesit për të dhënë një përgjigje të qartë dhe të besueshme për pyetjen se çfarë ka ndodhur. Ne do t’i ngremë këto shqetësime me homologët tanë sauditë”, tha një zëdhënës i grupit.
Ekzekutivët nga media dhe industritë e teknologjisë ishin tërhequr tashmë nga ngjarja pas zhdukjes së Khashoggit. Turqia beson se ai u vra dhe trupi i tij u zhduk. Arabia Saudite ka mohuar deri tani, por mediat amerikane kanë njoftuar se vendi po përgatitet të pranojë vdekjen e Khashoggit.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së Mike Pompeo mbërriti në Riad të martën, për të diskutuar mbi çështjen, e cila ka tensionuar lidhjet e SHBA me Arabinë Saudite, kultivuar me kujdes nga Presidenti Donald Trump.
Top Channel