Miqësorja e mbyllur pa gola ndaj Jordanisë i shërbeu trajnerit Christian Panucci për të eksperimentuar me lojtarët e grumbulluar, e pavarësisht rezultatit, paraqitja ishte pozitive. Por, tekniku i kuqezinjve duhet t’i bëjë tani ballë faturës së dëmtimeve, që erdhën nga 90-minutëshi në “Elbasan Arena”.

Për shkak të probleme fizike dhe tërheqjeve muskulare të pësuara gjatë ndeshjes miqësore ndaj Jordanisë, futbollistët e ekipit kombëtar Frederic Veseli dhe Ylber Ramadani janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar për, të vijuar me fazën riaftësuese. Ndërkohë, trajneri Christian Panucci ka kryer menjëherë zëvendësimet e duhura.

Kuqezinjve u bashkohen mbrojtësi Ivan Balliu dhe mesfushori Sabien Lilaj, të cilët do të jenë në dispozicion të skuadrës kombëtare në vigjilje të ndeshjes zyrtare të datës 14 tetor, ora 20:45, në Izrael. Si Balliu, ashtu dhe Lilaj do të jenë pjesë e grupit për transfertën në stadiumin e Be’er Sheva.

Top Channel