Kombëtarja shqiptare U21 është tërësisht e fokusuar te ndeshja me Spanjën për kualifikueset e “Euro 2019”.

Kuqezinjtë e Alban Bushit do të kërkojnë në sfidën e së enjtes që të marrin një rezultat më të mirë, në krahasim me sfidën e zhvilluar në Spanjë, edhe pse e dinë që do të jetë një detyrë shumë e vështirë.

“Ambienti në skuadër është shumë i mirë. Të gjithë futbollistët janë grumbulluar. Objektivi për këtë ndeshje është që të fitojmë. E dimë që do të jetë e vështirë. Duhet të tregojmë shumë durim, pasi Spanja është e fortë. Rezultati i ndeshjes së parë është pak i gënjeshtërt, pasi patëm disa raste, por nuk patëm shumë fat. Shpresojmë që ta kemi fatin për ndeshjen pasnesër”, tha Shaqir Tafa, futbollist i Kombëtares U21.

“Jemi mirë dhe do të luajmë për të fituar këtë ndeshje. Besoj se do të mbrohemi më shumë. Por, duhet të luajmë më shumë si ekip dhe të shfrytëzojmë kundërsulmet, kur të na jepet mundësia”, tha Albion Ademi, futbollist i Kombëtares U21.

Sfida mes Shqipërisë dhe Spanjës do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë, në orën 19:00 të së enjtes, e do të gjykohet nga arbitri portugez Joao Pinheiro.

Top Channel