Presidenti Donald Trump duket ka vendosur që vetëm në pak vite si president i SHBA-ve, të përsërisë të gjitha skandalet që ka pasur Uashingtoni në 50 vitet e fundit, që nga Uotergejt, seancat dëgjimore të Clarence Thomas me Anita Hill, dhe deri te dështimi me uraganin Katrina.

Rasti në fjalë: pas një vetëpërmbajtjeje të pazakontë, kur Christine Blasey Ford tha se ishte ngacmuar seksualisht nga Brett Kavanaugh, (gjë që ai e mohon), kur Kavanaugh ishte adoleshent 17-vjeçar, Trump dha maksimumin e përpjekjeve për t’i dalë zot debatit. Ai shkroi në Twitter:

“S’kam asnjë dyshim që nëse sulmi ndaj doktoreshës Ford do të kishte qenë aq i ashpër sa ç’thotë ajo, do të ishte ngritur menjëherë një padi nga ajo apo nga të afërmit. Unë i kërkoj t’i bëjë publike ato padi, që të mësojmë datën dhe vendin se ku janë bërë”.

Krahasimet me krizën e gjykatësit Clarence Thomas, nga administrata e George H. Ë. Bush, janë të pashmangshme. Edhe pse Bush nuk u soll si Trump. Trump nuk kishte si ta dinte për akuzat e Blasey Ford kundër Kavanaugh, kur e emëroi si kandidat për anëtar të Gjykatës së Lartë. Por mënyra se si presidenti e menaxhoi çështjen, e bën që të dalë shumë më keq. Ai e ka fyer, duke e quajtur “ajo gruaja” në vend që t’i kërkonte FBI-së të bënte hetime, siç bëri Bush me Thomas. Dhe ka thënë se hetimet e thella “nuk janë punë për FBI-në.” Kjo nuk është e vërtetë.

Sigurisht, çdo skandal është unik, ndaj nuk mund të bëhen krahasime të sakta me presidentët e mëparshëm. Por jehona që bën është e pamundur të shpërfillet.

Përgjigjja e Trumpit ndaj situatës së Kavanaugh mund të mos jetë aq e keqe sa reagimi që bëri ndaj studimit që arrinte në përfundimin se në Porto Riko kishin vdekur 3000 veta për shkak të urganit Maria. Presidenti tha se studimi ishte i rremë dhe që ishte zhvilluar si sulm politik. Por Porto Rikoja i ka pranuar shifrat.

Uragani Maria është krahasuar me përgjigjen e ngadaltë të presidentit Bush në Nju Orleans, pas uraganit Katrina. Ankesat e Trump konfirmuan se dështimi me uraganin ishte provë e paaftësisë së tij.

Sigurisht, janë edhe hetimet për Rusinë, kur gjykimi i Paul Manafort dhe Michael Flynn kujtuan skandalin e Uotergejt, që solli rrëzimin e presidentit Nikson.

Të emëruarit e Trump janë përpirë nga batakë edhe më të cekët.

Mes tyre janë ish administratori i Agjencisë së Mjedisit, Scott Pruit,  që dha dorëheqjen për skandale etike; ish Sekretari i Shëndetësisë dhe Burimeve Njerëzore, Tom Price, i cili dha dorëheqjen pasi kishte përdorur avionë privatë më para taksapaguesish; dhe Rob Porter, një sekretar i Shtëpisë së Bardhë, që dha dorëheqjen pasi dolën akuza për dhunë në familje. Porter i ka mohuar akuzat.

Vetëm një zyrtar i administratës është hequr nga detyra, ish këshilltari për sigurinë kombëtare, Flynn, për shkak të hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016. Trump ka nisur vrullin për t’ia kaluar presidentëve të dekadave të tëra. Duhet të kthehesh 40 vite pas në kohë, te Niksoni e Uotergejti, që të gjesh kaq shumë prova për skandale të lidhura me fushatën.

Këshilltari i fushatës së presidentit Trump për çështjet me jashtë, George Papadopoulos, ka pranuar se ka gënjyer agjentët e FBI-së për skandalin e Rusisë. Përveç Manafort, drejtuesit të fushatës, edhe këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, mori ulje dënimi nga Rick Gates pasi pranoi fajin. Ai kishe shërbyer në fushatën e presidentit Trump si dhe gjatë tranzicionit. Michael Cohen, i cili mburrej se ishte “ndërmjetësi” i presidentit, pranoi fajin se kishte paguaj Stormy Daniels që të heshtte. Daniels është një aktore pornografike që thotë se ka kryer marrëdhënie jashtë-martesore me Trump.  Trump i ka mohuar akuzat.

Daniels e ka paditur tashmë presidentin Trump ndërkohë që avokati i saj, Michael Avenatti, po kërkon që presidenti të paraqitet për të dëshmuar nën betim. Avenatti ka bërë të njëjtën kërkesë edhe për një kliente tjetër, Summer Zervos,  e cila është një nga gratë e shumta që kanë deklaruar se janë ngacmuar seksualisht nga presidenti Trump. Presidenti i ka mohuar akuzat e grave, edhe të Zervosit. Padia për shpifje e ka vënë presidentin Trump në pozitë të tillë që duhet t’u përgjigjet pyetjeve të shkruara.

Rreziku që i kanoset Trumpit me çështjet e Daniels dhe Zervos duket i ngjashëm me padinë civile të Paula Jones, që shënoi kthesën e madhe për skandalin që përfshiu Klintonët në vitet 1990. Gënjeshtrat e çuan Klintonin drejt gjyqit për shkarkim. (Nën betim, gjatë një deklarate, Klinton tha se nuk kishte kryer marrëdhënie seksuale me Monika Levinskin.) Ai shpëtoi dhe nuk u hoq nga detyra, pas një gjyqi në senatin amerikan.

Shumica e problemeve të Trump, përfshi debatet për Kavanaugh, kanë precedentë historikë të viteve të fundit, por sasia e krizave që ka kjo administratë është i paprecedentë. Rekordi i Trumpit bie më shumë në sy edhe sepse vjen pas Barak Obamës, i cili pati vetëm një anëtar kabineti që përfundoi me dorëheqje, ish-drejtorin e CIA-s, David Petraeus, i cili e la detyrën pasi hetimet e FBI-së vërtetuan se për tetë vite kishte pasur lidhje me biografen. Madje, u quajt Obama-Pa-Drama. Kjo bën që Trump të duket një makineri kaosi.

Burime të brendshme nga Shtëpia e Bardhë thonë se anëtarët e stafit kanë qenë aq të skandalizuar nga Trump, sa autori anonim, që shkroi artikullin më të fundit në New York Times, tha se “shumë persona të emëruar nga Trump janë betuar të ruajnë institucionet demokratike me çdo kusht, duke frenuar vazhdimisht impulset e gabuara të Trumpit, derisa të largohet nga zyra.”

Në fakt, personi që thotë se di se si të punësojë njerëzit më të mirë, ka qenë president i një ekipi me trazira të vazhdueshme.

Punonjësit që përpiqen të frenojnë instinktet më të këqija të presidentit Trump, pranojnë atë që ndiejnë shumë nga ne. Ata, ashtu si ne, nuk kanë nevojë që të shohin dështime të tjera për të arritur në përfundimin se në Zyrën Ovale është një person që nuk ka as karakterin, as intelektin dhe as moralin e përshtatshëm për atë detyrë.

Michael D’Antonio, CNN

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA