Përveç komandos Merviol Bilo, në përplasjen e armatosur në ish-bllok me një të vrarë dhe 2 të plagosur, ka qëlluar edhe një person tjetër. Geldo Hoti sipas policisë ka qenë i pranishëm dhe ka shkrepur armën në lokalin luksoz mbrëmjen e së enjtes.

Ai u ndalua nga policia teksa po tentonte të dilte nga Shqipëria përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës. Sipas burimeve 37-vjeçari njihet si shok i komandos Bilo. Ndalimi i tij çon në 3 numrin e të arrestuarve, ndërkohë që 3 persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.

Por kush janë personazhet e përfshirë në ngjarjen që trondit opinionin publik dhe solli pikëpyetje të mëdha për sigurinë në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit?

Ervis Martinaj padyshim është një nga emrat më të përmendur për shkak të së shkuarës së tij. 36-vjeçari njihet si biznesmen në fushën e basteve sportive si dhe ka qenë i pranishëm në vrasjen e Enton Nikës, në nëntor të 2015-ës.

Edhe i plagosuri tjetër, Eljon Hato nga Shkodra rezulton person me precedentë të theksuar kriminalë, i dënuar për vrasje dhe i akuzuar për porositjen e një ekzekutimi nga burgu.

Gjithashtu edhe viktima Fabiol Gaxha në skedarët e policisë rezultonte një person në kërkim për tentativë vrasje, por për t’iu shmagur kapjes, përdorte dokumentin e identifikimit të një të afërmi.

Ndërkohë 3 të kërkuarit nga pala tjetër e përfshirë në konflikt janë edhe Ervin Mata, komando Mervjol Bilo dhe shtetasi Fabjol Alushi. Mata njihet si biznesmen dhe i fejuari i këngëtares Elvana Gjata. Familja e tij zotëron një hotel dhe disa biznese në kryeqytet, ndërsa sipas burimeve, 31-vjeçari bënte jetë luksoze dhe shpesh qëndronte edhe jashtë Shqipërisë.

Mervjol Bilo, beretë e kuqe e komandove shqiptare ka shërbyer disa here më mision në zonat e luftës në Chad, Irak dhe Afganistan. Në CV-në e tij është edhe një mision i rrezikshëm në vitin 1999 në territorin serb, për llogari të aleatëve të përfshirë në bombardimin e ushtrisë së Millosheviçit.

41-vjeçari i dekoruar dyshohet se ishte kontraktuar për të ruajtur fizikisht biznesmenin Mata dhe të dashurën e tij Elvana Gjata. I fundit në kërkim Fabjol Alushi sipas verifikimeve nuk rezulton person me precedent penal.

Pista kryesore mbetet ngacmimi i këngëtares Elvana Gjata, që dyshohet se solli përplasjen e armatosur. Palët thuhet se kishin debatuar një javë më parë, por policia po heton edhe pista të tjera, të cilat përfshijnë borxhe në shuma të mëdha parash, apo pagesa të pakryera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA