“Fiks Fare” solli mbrëmjen e së premtes shqetësimin e prindërve të 700 nxënësve, të cilët mësonin në shkollën 9-vjeçare “Shefqet Tançi” në Bulqizë.

Vetëm pas dy javësh nga fillimi i vitit të ri shkollor, fëmijët u ndanë nëpër shkolla e ambiente të tjera, pasi u vendos që shkolla të rikonstruktohej vetëm tani, pasi tani mbaruan të gjitha procedurat e tenderimit. Ndërkohë, fondet për këtë shkollë janë lëvruar që në qershor.

Prindërit tregojnë për “Fiksin” se janë detyruar të mos i çojnë fëmijët në shkollë, pasi institucionet në të cilat duhet të shkojnë fëmijët tashmë janë larg, nuk kanë transport të garantuar, e po ashtu kushtet në ato shkolla ku janë dërguar janë të papërshtatshme.

Një zonjë tregon për “Fiksin” se ka 3 fëmijë që duhet të shkojnë në 3 shkolla të ndryshme, e për këtë arsye nuk ka mundësi t’iu paguajë transportin. “Do të mbeten fëmijët pa shkollë, nuk kemi mundësi t’i çojmë, jemi vetëm me një ndihmë ekonomike”, thotë e shqetësuar zonja.

Ndërkohë, të gjithë prindërit i shqetëson fakti që mësimi nuk po zhvillohet siç duhet, edhe atje ku po arsimohen fëmijët. “Jemi të shqetësuar pasi orët janë 30 minutëshe, nuk po bëhet mësim i rregullt”, thonë ata.

Bashkë me prindërit, gazetarët e “Fiksit” shkuan në ambientet ku bënin mësim parashkollori. Ai ishte një ambient, i cili ka qenë korridori i një rrobaqepësie, e që tashmë është sajuar si klasë. Edukatorja thotë e shqetësuar:

“Këtu nuk kanë ku qëndrojnë fëmijët, sot kanë ardhur vetëm 10 vetë, por në regjistër kam 47. Dje jam detyruar që një fëmijë ta nis për në shtëpi, se nuk kishte ku të qëndronte”.

Ndërkohë, ambienti është munduar të përshtatet, duke u ndarë me mure gipsi, por që edukatorja pohon se është vend i ftohtë dhe jo i përshtatshëm për fëmijët.

Grupi i xhirimit iu drejtua edhe Bashkisë së Bulqizës për një përgjigje. Në të njëjtin takim që patën me kryetarin e Bashkisë ishte edhe drejtori i Drejtorisë Arsimore së Bulqizës.

Kryetari i Bashkisë tha për “Fiksin” se do ta rregullojnë situatën, do të përpiqen të gjejnë një ambient me qira ku të mësojnë fëmijët, ndërsa drejtori i Drejtorisë Arsimore u shpreh se e gjithë kjo ndodhi si rezultat i uljes së numrit të nxënësve nëpër klasa.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA