Pas referendumit të së dielës, Maqedonia i është rikthyer pasigurisë politike. Nga njëra anë, Lidhja Social-Demokrate në pushtet akuzon opozitën se po pengon ardhmërinë e vendit; nga ana tjetër, VMRO-ja në opozitë kërkon dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev dhe krijimin e një qeverie teknike.
Sipas organeve drejtuese të LSDM-së, deputetët duhet të ndjekin vullnetin e shprehur të shumicës prej mbi 600 mijë qytetarësh, të marrin përsipër përgjegjësitë dhe të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit të vendit në NATO dhe në BE.
“Nëse kjo nuk ndodh, atëherë nuk ka opsion tjetër përveç zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku qytetarët do të vendosin për të ardhmen e tyre”, thuhet në një deklaratë të LSDM-së.
VMRO-DPMNE-ja, që nuk e njeh rezultatin e referendumit, kërkon jo vetëm dorëheqje urgjente të kryeministrit dhe qeveri teknike, por edhe emërimin e Prokurorit të ri Publik dhe krijimin e një komisioni anketues, që do të hetonte parregullsitë e referendumit, si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Për Zaevin, këto kërkesa janë të papranueshme.
“Nuk ka as shkak dhe as nevojë që të diskutohet për kërkesa të tilla. Vet institucionet dhanë komentet e tyre. Të kërkohet komision, i cili do të verifikojë nëse referendumi ka qenë ligjor, nëse ka pasur ligjshmëri në zbatimin e kushteve, kur kryetari i KSHZ-së është nga VMRO-DPMNE-ja? Edhe Gjykata Administrative, e cila nuk ka ndërruar asnjë anëtar, vetvetiu tregon se çfarë po kërkohet”, tha Zoran Zaev.
I pyetur nëse do të ulet për bisedime me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Zaev tha se nuk ka se çfarë të bisedojë me të.
“Në të kaluarën i dhamë kartë të bardhë për qeveri teknike. I pranuam kërkesat për financimin e partive politike, e formuam KSHZ-në me kryetar të VMRO-DPMNE-së. Ata, as që pranuan të bisedojnë për ndonjë mënyrë për mbështetje të suksesshme të proceseve të rëndësishme për Maqedoninë”, tha Zaev.
Në ditët në vijim, kryeministri Zaev pritet që të bisedojë me deputetët në Kuvend, – siç tha, – në një atmosferë normale dhe shoqërore.
Top Channel