Basha shpjegon betejën kundër oligarkëve në “Open”: Shpëtojmë 2.2 mld euro

24/09/2018 21:13

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dha intervistën e parë për këtë sezon politik për emisionin “Open” në Top Channel, ku para moderatores Eni Vasili foli për nismat më të reja të opozitës.

Beteja kundër oligarkëve është një nga nismat, për të cilën opozita ka gati një projekt-ligj, që sipas Bashës do të godasë të gjitha aferat korruptive të qeverisë dhe do të shpëtojë rreth 2.2 miliardë euro para të shqiptarëve.

“Vendi po kalon një situatë shumë të rëndë, veçanërisht në rrafshin ekonomik, pasi shqiptarët e të gjitha shtresave, e ndjejnë “darën” e shtrengimit ekonomik, që është rezultat i aleancës së pushtetit me një grusht oligarkësh. Paratë e shqiptarëve po prodhojnë mirëqenie vetëm për një grup njerëzish dhe jo për të gjithë popullsinë. Kjo ndodh pasi ligjet shkelen dhe me ndërhyrjen e shtetit, kompani të caktuara, pas vetëm 48 orësh nga krijimi, merr miliona euro koncesione. Rasti i Klodian Zotos së inceneratorëve të mbetjeve, është një shembull tipik, që shpjegon edhe përfshirjen e politikanëve, në rastin konkret të ministrit Arben Ahmetaj, në këtë veprimtari mafioze. Jemi në një situatë të jashtëzakonshme, ndaj në këtë situatë dramatike, duhet të marrim një masë dramatike, që të mos lejojmë që 2.2 miliardë euro para të shqiptarëve, të përfundojnë në xhepat e qeveritarëve dhe oligarkëve. Ligji synon ndaljen e këtij procesi dhe verifikimin me detaje të këtyre aferave, duke bërë sekuestrimin e pasurive të paligjshme dhe duke çuar para përgjegjësisë të gjithë zyrtarët që janë të përfshirë”, deklaroi Basha.

Vetë lideri i opozitës pranoi se kjo nismë dhe ky projekt-ligj ka nevojë për një vullnet të qartë politik, që të vihet në jetë, por theksoi se do të jetë një nga prioritetet e tij, kur të vijë në pushtet.

Ndërkohë, Basha ndërpreu fjalën për një momente dhe hoqi xhaketën “live”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA