Orban, sfidues ndaj BE-së. Do të vijojë betejën për emigracionin

17/09/2018 18:18

Hungaria do t’i rezistojë çdo përpjekjeje të Bashkimit Europian për t’i hequr asaj të drejtën për mbrojtjen e kufijve të vet, e do të luftojë t’i kthejë mbrapsht politikat pro emigrantëve të grupit të qendrës së djathtë, të cilit i përket në Parlamentin Europian.

Kryeministri Viktor Orban u izolua javën e kaluar, kur shumica e europarlamentarëve nga grupi i Partive Popullore Europiane (EPP) ndihmuan të arrihej shumica parlamentare prej dy të tretave, e nevojshme për të nisur procedurat sanksionuese kundër Hungarisë për shkak të shkeljes së vazhdueshme të ligjeve të BE-së. Procedura në vetvete mund të sjellë në përfundim vendosjen e një gjobe të majme apo edhe humbje të të drejtës për votim.

Në adresimin para Parlamentit hungarez, Orban pretendon se propozimi për një forcë kufitare europiane prej 10 mijë oficerësh, që do të diskutohet në samitin e Salzburgut këtë javë, është një përpjekje për t’u hequr shteteve anëtare të drejtën për të vetëmbrojtur kufijtë e tyre.

Zëdhënësi kryesor i Orbanit, Zoltan Kovacs shkoi më tej kur tha se Hungaria do t’i rezistojë çdo reforme të gjerë emigracioni, që do të mund të propozohet përpara zgjedhjeve për Parlamentin Europian në maj të vitit të ardhshëm.

“Shumë vende të BE-së janë ende të vendosura të plotësojnë nevojat e tregjeve të tyre, duke lejuar qindra mijëra emigrantë të hyjnë në Europë çdo vit”, tha Kovacs, i cili shtoi se “një elitë politike globaliste pro emigracionit” po përpiqet të mbyllë opsionet për zgjidhjen e kësaj çështjeje pas zgjedhjeve europarlamentare.

“Ne nuk duhet të vendosim mbi çështjet mbareuropiane, në nivel Bashkimi Europian, deri pas zgjedhjeve të vitit tjetër”, tha ai.

Të dielën, Sekretari britanik për Mjedisin, Michael Gove refuzoi të kritikonte udhëheqësin joliberal të Hungarisë dhe politikat e linjës së ashpër të vendit të tij mbi emigracionin, duke lënë të kuptohet gjatë një interviste për BBC-në se, Britania ka nevojë për mbështetjen e Hungarisë në vazhdën e procesit të “Brexit”-it.

Eurodeputetët konservatorë lëshuan kritika të ashpra javën e kaluar, kur votuan kundër procedimeve disiplinore ndaj Hungarisë, për shkeljen e vlerave europiane mbi emigracionin, lirinë e medieve dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Gjithsesi, në atë që konsiderohet si një goditje ndaj Orbanit; presidenti austriak Sebastian Kurz dhe kreu i EPP-së, Manfred Weber, braktisën Hungarinë në momentin e votimit. Mes përpjekjeve të zellshme për të parandaluar përçarjen e EPP-së, Weber u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së gjatë fundjavës që të diskutonin krizën e Hungarisë në samitin informal të Salzburgut, këtë javë.

Një lëvizje kjo e mirëpritur nga Kovacs, i cili theksoi se Orban do t’u rezistojë përpjekjeve në Salzburg për të ndryshuar ligjet e BE-së mbi emigracionin dhe azilkërkimin përpara zgjedhjeve të majit, kur pritet që një shumicë eurodeputetësh antiemigracion të zgjidhen në PE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA