Ndërsa po diskutohet krijimi i një strategjie kombëtare për kulturën, kineastët e vendosin theksin tek buxheti, i cili është më i ulti për industrinë e filmit në gjithë Ballkanin.
Ilir Butka, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK), shprehet: “Kemi një buxhet të dyfishuar këto katër vitet e fundit. Një buxhet që na ka lejuar të bëjmë shumë prodhime, por gjithsesi mbetet një buxhet inferior në raport me gjithë vendet e tjera të Ballkanit. Së fundmi, Kosova e ka rritur buxhetin e vet dhe e ka superuar buxhetin tonë. Duhet patjetër që ta konsiderojë shteti këtë sfidë të rritjes së buxhetit si një sfidë për ta ndërtuar ashtu siç duhet, mbi bazat e duhura industrinë kinematografike shqiptare. Duhet të kuptojmë që kinematografia nuk është vetëm art dhe kulturë, është edhe industri”.
Aktualisht, janë 5 filma shqiptarë në fazë xhirimi me mbështetje të QKK-së. Por, kjo është shumë pak krahasuar me ofertat e projekteve që kineastët e rinj kanë.
“Kinematografia shqiptare nuk është as më lart e as më poshte ndaj kinematografisë së këtyre vendeve të tjera. Pra, kemi krijuar tashmë një brez të ri, që para pak kohësh mungonte, i cili është në ekspansion dhe do të ofrojë diçka. A i përgjigjet dot shteti kësaj oferte që ata bëjnë? Besoj që nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi”, sqaron Butka.
Ne kemi dy shkolla filmi që po krijojnë një brez kineastësh. Megjithatë, është fakt që audienca përgjatë këtyre viteve është larguar nga prodhimet shqiptare. Prandaj, edhe QKK-ja po punon sodomos në këto dy drejtime.
“Kemi fituar një projekt evropian për konvertimin e të gjithë projektorëve të kineamave të vjetra në rrethe, në projektorë dixhitalë. Përpjekja për të implementuar lëndën e kinematografisë nëpër shkolla, njëlloj si lëndën e muzikës apo vizatimit”, deklaron Butka.
Top Channel