Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) ka braktisur koalicionin qeverisës, duke zyrtarizuar atë që Shpëtim Idrizi kishte deklaruar disa orë më parë në emisionin “Top Talk”, të gazetarit Denis Dyrnjaja.
PDIU-ja mblodhi në orën 17:00 Këshillin Kombëtar të partisë, aty ku u zyrtarizua ndarja nga mazhoranca. Shpëtim Idrizi është caktuar si negociator me Partinë Demokratike i PDIU-së.
“Nuk dua t’iu referohem emrave të përveçëm, por ajo që mund të them qartësisht sot është se, në kushtet kur kjo mazhorancë e ka marrë të gjithë tepsinë për vete dhe deklaron se do të hyjë e vetme në zgjedhje, e në kushtet që për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë kemi ndryshim 180 gradë të qëndrimit të kësaj mazhorance dhe të Edi Ramës, në mbledhjen e para dy ditëve të Kryesisë së PDIU-së vendosëm mbledhjen e Këshillit Kombëtar sot për të diskutuar për kalimin në opozitën zyrtare dhe mundësitë e negociatave me Partinë Demokratike, për t’u rreshtuar në këto zgjedhje me koalicionin opozitar”, deklaronte Shpëtim Idrizi në “Top Talk”.
Top Channel