“Cicërima” e papublikuar, që mund t’i “shpallte luftë” Koresë së Veriut

10/09/2018 10:44

Presidenti amerikan Donald Trump frikësoi ndjeshëm krerët e Pentagonit me një “cicërimë”, që nëse do të ishte publikuar, do të mund të lexohej nga Koreja e Veriut si shenjë e një sulmi të pashmangshëm të Shteteve të Bashkuara.

Kjo është deklarata e bujshme e gazetarit Bob Woodward, dhënë gjatë një interviste me “CBS”, sipas të cilit ai shënoi edhe momentin më të rrezikshëm të mosmarrëveshjeve bërthamore të Trumpit me Korenë e Veriut.

Woodward, libri i të cilit “Frikë: Trump në Shtëpinë e Bardhë” do të dalë në shitje këtë të martë, rrëfen se “presidenti kishte përgatitur një mesazh në Twitter” me këtë përmbajtje: “Do të tërheqim vartësit tanë nga Koreja e Jugut, përfshi familjarët e 28 mijë njerëzve tanë që jetojnë atje”, një referencë e qartë ndaj familjeve të trupave amerikane të vendosura në gadishullin Korean.

“Cicërima” gjithsesi nuk u dërgua kurrë, për shkak të një mesazhi të kthyer mbrapsht nga koreano-veriorët, të cilët u shprehën se do ta konsideronin atë si një sinjal se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiteshin për sulm.

“Në momentin në fjalë – shprehet gazetari i famshëm, – pati një ndjenjë alarmi të thellë mes krerëve të Pentagonit”. Sipas tij, ata janë shprehur: “Oh Zot, një cicërimë dhe kemi informacione të besueshme se koreano-veriorët do ta interpretojnë këtë si një ‘sulm i pashmangshëm’”.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut u zbutën disi, që kur Trump dhe udhëheqësi i Veriut komunist, Kim Jong-un u takuan në Singapor më 12 qershor.

Së fundi, Kim shprehu “besimin e palëkundur” të tij ndaj Trumpit, ndërsa presidenti amerikan lavdëroi të dielën Korenë e Veriut për paradën ushtarake që si rrallëherë nuk përfshiu raketa bërthamore.

Megjithatë, politika e mëhershme e “lojës me zjarrin” mes dy vendeve në zotërim të armëve bërthamore, përfshi kërcënimin e Trumpit më 19 shtator të vitit të kaluar se “do ta shkatërronte tërësisht Korenë e Veriut”, i përshkallëzoi tensionet në nivele të paimagjinueshme.

Në librin e tij, Woodward e portretizon presidentin amerikan si të painformuar dhe impulsiv deri në pikën e mendjelehtësisë, teksa ndihmësit e tij më të lartë në Shtëpinë e Bardhë shpeshherë kanë hequr dokumente nga tryeza e tij për ta penguar të merrte vendime të nxituara.

Përshkrimi i situatës nga Woodward si një “puç administrativ” përsërit atë të një zyrtari të lartë anonim të administratës, i cili rrëfeu në një opinion të botuar në “New York Times” për një “rezistencë të brendshme” ndaj Trumpit.

Top Channel