Skandali në Komisariatin e Gramshit: Oficeri i policisë i merr 50 mijë lekë qytetarit

06/09/2018 20:46

“Fiks Fare” denoncoi këtë të enjte një skandal në Komisariatin e Gramshit, ku një oficer i Policisë Gjyqësore i ka kërkuar dhe i ka marrë 50 mijë lekë një qytetari, duke i ushtruar presion se nëse nuk paguante do ta arrestonte.

Aleksandër Boçi, nga fshati Kërpicë i Gramshit, rrëfeu rastin në emisionin investigativ, duke deklaruar se presioni i është ushtruar brenda Komisariatit dhe ai është detyruar të paguante, sepse i duhej të mbante gruan me 4 fëmijë, si i vetmi krah pune në familje.

Boçi shpjegoi se historia ka nisur në muajin gusht, kur bashkë me një kolegun e tij kanë shkuar në Tomorr për të punuar bashkë dhe fitimet t’i ndanin përgjysmë. Por, kur është kthyer nga Tomorri i ka kërkuar kolegut t’i japë 400 mijë lekë të punës së tij, por ai i ka thënë se nuk kishin ndonjë kontratë bashkë e nuk do i jepte parà.

Në këto kushte, më 26 gusht, 39-vjeçari nga Kërpica e Gramshit i është drejtuar policisë për ndihmë, duke kërkuar që ta ballafaqonin me kolegun, pasi ai i shmangej e nuk i jepte paratë. Më pas, ai ka shkuar sërish ta kërkojë kolegun te shtëpia, ku ka gjetur vajzën dhe gruan e tij.

Boçi tregon se ka pyetur vajzën e kolegut se ku ndodhej ai, por ajo nuk i ka treguar. Kështu, qytetari i është drejtuar sërish Komisariatit, ku ka takuar shefin e Krimeve dhe ky i fundit e ka orientuar tek oficerët e Policisë Gjyqësore për të bërë denoncim.

“Kam shkuar për të bërë denoncim tek oficeri Agron Zeka, por në ato momente, në Komisariat kanë ardhur gruaja dhe vajza e kolegut, të cilat më kanë denoncuar sikur i kisha kërcënuar. Më pas, oficeri i policisë Agron Zeka më ka marrë në pyetje, duke më thënë se rrezikoja 17 vite burg ndaj kërkova avokat. Pasi kërkova avokat, ai më tha se e njihte avokatin që do merrja unë, prandaj më mirë t’ia jepja atij paratë që do i jepja avokatit, dhe ai nuk do të më arrestonte. Për këtë, ai më ka thënë se duhej të paguaja 50 mijë lekë deri atë pasdite dhe do të m’i dërgonte letrat në Prokurori në gjendje të lirë”, shpjegon për “Fiks Fare”, Aleksandër Boçi.

Ai thotë se duhej t’i paguante lekët me patjetër, pasi ndryshe e arrestonin. Për të denoncuar këtë rast, ai ka kërkuar ndihmën e “Fiks Fare”.

Pas denoncimit, “Fiks Fare” ndoqi rastin hap pas hapi dhe qytetari i telefonoi oficerit të Policisë Gjyqësore, Agron Zeka. Ai kërkoi ta takonte me qëllim për t’i dhënë lekët. Në telefonatën e parë, oficeri Zeka i thotë se kishte ikur nga Gramshi dhe ndodhej në Durrës, por mund të takoheshin të hënën.

Që të hënën në mëngjes, qytetari e telefonon sërish dhe oficeri i thotë se do të vonohej rreth 1 orë e gjysmë, e më pas do të takoheshin. Pasi oficeri mbërrin në Gramsh, ai dhe qytetari e lënë të takohen te “Parku” në Gramsh. Oficeri i policisë shkoi me makinën e tij private dhe pasi u sigurua se nuk kishte persona që mund ta shihnin, nuk doli nga makina.

Qytetari i thotë se i ka sjellë atë për të cilën kishin biseduar, por i kërkon ta mbyllë fare si çështje. Oficeri i policisë i thotë se çështja ka kaluar në Prokurori në gjendje të lirë dhe nuk ka nevojë të kapë njeri tjetër apo të paguajë parà shtesë. Në këto kushte, qytetari i jep 50 mijë lekë dhe i thotë t’i numërojë. Oficeri i policisë nuk i numëron, por i fut brenda makinës dhe e pyet qytetarin nëse janë sa duhet.

Për të vërtetuar nëse ishin 50 mijë lekë apo jo, qytetari numëron pjesën tjetër që i kishin mbetur në xhep. Pas kësaj, qytetari i kërkon emrin dhe mbiemrin oficerit të Policisë Gjyqësore, por ai nuk pranon t’ia tregojë dhe i kërkon që të mos flasë me njeri për këtë çështje. Madje, ai i shpjegon se i ka dërguar letrat në Prokurori, me qëllim që të mos dëmtohet qytetari dhe më pas largohet me mjetin e tij.

Pas realizimit të bisedave me oficerin e policisë, qytetari deklaroi në “Fiks Fare” se ishte në dijeni për përgjegjësinë që kishte, por donte të denonconte këtë padrejtësi, pasi ai nuk kishte ku të merrte parà për t’ia dhënë oficerit të policisë, sepse ka 4 fëmijë për të ushqyer, si i vetmi krah pune në familje dhe dëshironte që publikisht të dihen padrejtësitë që oficerët e policisë bëjnë ndaj qytetarëve.

Telefonata e parë me oficerin Agron Zeka

Oficeri i policisë: Alo!
Qytetari: Alo urdhëro. O shefi po vij unë, për atë muhabetin (lekët) që lamë dje.
Oficeri i policisë: Kush je ti ore?
Qytetari: Po ai çuni, Sandri.
Oficeri i policisë: O Sandër!
Qytetari: Urdhëro!
Oficeri i policisë: Nuk më takon, nuk jam, jam në Durrës…
Qytetari: Te Bajrami?
Oficeri i policisë: Ose te Arjani.
Qytetari: Jo jo, do të takoj ty unë, po qe paskam ardh kot unë
Oficeri i policisë: S’jam aty, të hënën vij.
Qytetari: Atëherë kur të vish më bëj telefon.
Oficeri i policisë: Ok
Qytetari: Ok, hajt mirupafshim

Telefonata e dytë me oficerin Agron Zeka

Oficeri i policisë: Alo
Qytetari: Alo mirëmëngjes
Oficeri i policisë: Alo
Qytetari: Sandri jam, ça bën.
Oficeri i policisë: Kush?
Qytetari: Ai çuni që kemi bërë atë muhabetin (për lekët).
Oficeri i policisë: Ehe, jam pak larg, por për nja 1 orë e pak jam në Gramsh.
Qytetari: Ok se kam edhe ustallarët në shpi, e nuk dua të vonohem.
Oficeri i policisë: Mirë, unë për një orë e gjysmë jam në Gramsh.
Qytetari: Në rregull!

Qytetari takon oficerin e policisë te vendi i quajtur “Parku” në Gramsh

Qytetari: Tani unë desha të flas, atë që më the (pagesën) ta kam sjellë, por desha të flas që ta mbyllim, jo ta hapim. Qysh mbyllet?
Oficeri i policisë: Prit o sa e hapa, prit o sa e hapa, s’kanë ça me bo asigja.
Qytetari: Ai më tha mua do vete ta tërheq denoncimin.
Oficeri i policisë: S’e di fare.
Qytetari: Se i fala lekët unë që ka për të me dhënë. A erdhi ai, se më tha që vajta?
Oficeri i policisë: Letrat janë në prokurori.
Qytetari: Tashti më thuaj mua, nëqoftëse e mbyll dot, më thuaj kaq (lekë) vete. Nqs. nuk do, merr këto (500 mijë lekë të vjetra) që kemi bërë muhabet…
Oficeri i policisë: Një sekondë, një sekondë, ne kemi bërë muhabet…
Qytetari: Ato që bëmë, ka mbaruar filmi.
Oficeri i policisë: Kaq dhe s’ke nevojë me i dhënë kujt asisend.
Qytetari: Dakord mo, por të mbyllet.
Oficeri i policisë: Unë të thashë që do ta flas me atë, ai po qe…
Qytetari: Mirë mo, por ata të lënë pa punë.
Oficeri i policisë: Ç’ke ore?! Nuk ka shans. Kur të të thërrasin, dëgjo, unë kështu kam bërë ca punë edhe kaq. Mashtron goca. Unë s’t’i kam shkrujt që ti e ke thanë vetë, ka thënë goca, kam thënë,
Qytetari: E vërteta është siç të thashë edhe siç e shkruajta. Unë e piva kafen me atë gocën. Më thirri vetë, jo unë, unë s’e prisja më. Tani, këto që thamë (500 mijë lekë të vjetra) është kollaj, por për të tjera.
Oficeri i policisë: S’ke nevojë me i dhënë kujt.
Qytetari: Ka nevojë më?
Oficeri i policisë: S’ke nevojë me i dhënë kujt!
Qytetari: Shumë mirë, futi brenda.
Qytetari i jep 50 mijë lekë të reja oficerit të policisë, Agron Zeka
Qytetari: Shifi njëherë a janë tamam.
Oficeri i policisë: Pse?
Qytetari: Se kam dy pjesë, kam edhe të tjera.
Oficeri i policisë: Nëqoftëse të duhen më?
Qytetari: Jo!
Oficeri i policisë: Ça të duhen më?
Qytetari: Nëqoftëse duhen më?
Oficeri i policisë: Jo, s’ka nevojë. Unë them s’ka nevojë tani.
Qytetari: Duhen më?
Oficeri i policisë: Unë them s’ke nevojë o burrë.
Qytetari: Mbiemrin s’ma the, nuk më duhet…
Oficeri i policisë: S’të duhet.
Qytetari: Nuk më duhet.
Oficeri i policisë: Të ikësh pa merak.
Qytetari: Por, çfarë pozicion pune ke, më bën punë për këtë barakën, a s’më bën?
Oficeri i policisë: Kë barake?
Qytetari: Këtë që lëviz.
Oficeri i policisë: Ke letra?
Qytetari: Po ku, të kisha letra, vetëm letra duhani që dredh cigaren.
Oficeri i policisë: Nuk ke nevojë me kap njeri, as me i dhanë gjë kujt
Qytetari: Ai s’i dha lekët, mbajti 4 milionë lekë.
Oficeri i policisë: Po ç’të them unë, ajo…
Qytetari: E po, por dikush e mbron atë merr zemër.
Oficeri i policisë: Ti, a i ke në rregull këto (lekët)
Qytetari: Po prandaj të thashë shifi.
Oficeri i policisë: Po pse t’i shof unë, a i ke parë ti?
Qytetari: Nuk di çfarë pjese të dhashë prandaj. I kam bërë lëmsh, dale t’i shoh një çikë. Dale të shoh këto unë dhe dalin edhe ato. Të shoh sa kam. Hapi, hapi njëherë se nuk të shef njeri aty. Mua siç mi dhanë ashtu i mora, borxh i kam.

Oficeri i policisë numëron lekët poshtë derës së makinës.

Qytetari: Më thuaj!
Oficeri i policisë: Nigjove. Mos shko me kap njeri fare, lene sepse ashtu siç t’i kam çuar unë…
Qytetari: Unë s’dua të lëviz poshtë (te Drejtoria e Policisë Elbasan) se po ashtu…
Oficeri i policisë: Maksimumi, 1 javë kanë për ta ba.
Qytetari: Se edhe unë këto (lekët) të thashë, i mora diku në vend tjetër se s’po dal dot në shesh.
Oficeri i policisë: Nigjon ça po të them unë, qepe gojën 1. E para punës qepe gojën, e dyta bëj kujdes atje në Kërpicë se mos je përzier në ndonjë vend. Hika!

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA