Familja kanadeze kërkon ndihmë në “Fiks Fare”: Muxhahedinët mbajnë peng vajzën tonë!

04/09/2018 20:42

Një familje iraniane me shtetësi kanadeze, prej më shumë se 20 vitesh tenton të takojë vajzën, e cila në moshën 16-vjeçare u bë pjesë e muxhahedinëve.

Sot vajza është 38 vjeç, por prindërit, edhe pse kanë kaluar peripeci duke rrezikuar edhe vet jetën e tyre, nuk po arrijnë dot ta shohin përballë vajzën e tyre.

Mustafa Mohammadi, së bashku me bashkëshorten e tij i janë drejtuar emisionit “Fiks Fare” për të bërë një apel, lidhur me situatën në të cilën kjo familje gjendet prej më shumë se dy dekadash, pasi ai mendon se vajza e tij detyrohet të jetë pjesë e organizatës.

“Unë dhe familja ime kemi mbi 20 vite që nuk e shohim Somaieh. Ne jetojmë prej vitesh në Kanada dhe vajza jonë ka jetuar me ne deri në moshën 16-vjeçare”, tha ai.

“Ne emigruam në vitin 1994 familjarisht në Kanada. Muxhahedinët i bënë lavazh truri motrës së gruas sime. Ajo iku në kampin ‘Ashraf’ për të luftuar qeverinë iraniane. Muxhahedinët na thanë se motra e gruas sime është ekzekutuar dhe vajza ime ishte shumë e lidhur me tezen e saj. Kur ne shkuam në Kanada i ndihmonim muxhahedinët. Çdo javë, të shtunë e të dielë, madje edhe ndonjë të premte, dilnim dhe mblidhnim parà për muxhahedinët. U tregonim njerëzve fotografi me fëmijë dhe u thonim që këta fëmijë s’kanë nënë e babà dhe se kanë nevojë për ndihmë. Ne trokisnim derë më derë dhe kërkonim parà për të ndihmuar fëmijët në fotografi. Pas dy vitesh që unë dhe vajza ime bënim këtë gjë, kur ime bijë ishte rreth moshës 16 vjeç, tek ne në Kanada erdhi një grua, anëtare e muxhahedinëve. Ajo foli përzemërsisht me vajzën time, duke i treguar se dikur kishte njohur tezen e saj dhe se ajo kishte qenë shumë e mirë dhe se ishte në dijeni të lidhjes së ngushtë që ime bijë kishte pasur me të. Ajo u përlot dhe e ftoi të shkonte bashkë me të në Irak, të shihte vendin ku tezja e saj kishte qëndruar. Anëtarja e muxhahedinëve bleu dy bileta për dy javë dhe na i tregoi neve. Unë thashë ‘ok’ vetëm për dy javë”, rrëfen më tej i dëshpëruar Mustafa Mohammadi.

Më pas, sipas rrëfimit të tij, Somaihe nuk u kthye kurrë. Të dëshpëruar, Mustafa dhe bashkëshortja e tij prej vitesh kërkojnë ndihmë, por asnjë institucion shtetëror ku ata kanë trokitur nuk i ka ndihmuar.

Madje, ata thonë se kanë në duar disa letra, të cilat mbajnë firmën e vajzës së tyre. Aty, Somaieh kërkon ndihmë nga trupat amerikane që ndërhynë në Irak për t’u bashkuar me familjen e saj. Këto letra janë dorëzuar në Ambasadën kanadeze të Jordanisë, e cila më pas i ka dërguar në Kanada.

Pas këtij denoncimi, emisioni “Fiks Fare” iu drejtua zyrtarisht organizatës “MEK”. Nëpërmjet një “e-mail”-i zyrtar, nga ana e gazetarëve të “Fiksit” u kërkua informacion nëse Somaihe ndodhet në kampin e Manzës në Shqipëri, e gjithashtu kërkuan edhe një intervistë me vajzën.

Gazetarët e emisionit “Fiks Fare” nuk arritën të merrnin një përgjigje zyrtare, ndaj iu drejtuan kampit të Manzës për t’u lidhur me një përfaqësues të “MEK”-ut. Pas këmbënguljes së vazhdueshme të emisionit, “MEK” në një letër të hapur për të gjitha mediet deklaroi se “Fiks Fare” ka kërcënuar Somaihe dhe anëtarët e kampit të Manzës, ndërkohë që emisioni “Fiks Fare” ka xhiruar të gjithë bisedën ku duket qartë që kërkohet një informacion zyrtar në bazë të ligjit për informimin publik.

Emisioni “Fiks Fare” kërkoi një intervistë, pasi disponon disa letra të cilat janë firmosur nga vet Somaihe Mohammadi, e cila më 17 tetor të vitit 2004 kërkonte të bashkohej me familjen e saj në Kanada.

Sot, në një komunikatë për shtyp, Somaihe refuzoi të takojë prindërit, duke i cilësuar agjentë të regjimit iranian, si dhe pohoi se qëndron në “MEK” me vullnetin e saj të lirë.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA