Hysaj: Mbrojtje më e dobët me Ancelotin? Thjesht na ka munguar përqendrimi

03/09/2018 11:03

Napoli pësoi humbjen e parë në Serinë A, teksa u mposht nga Sampdoria me rezultatin e thellë 3-0 dhe nuk arriti të ruajë ritmin e juventusit, me 3 fitore në po kaq takime.

Gjithsesi, ajo që duket shqetësuese për skuadrën e Ancelottit, është pikërisht mënyra se si i pëson golat, pasi në 3 takimet e para, e ka nxjerrë 6 herë topin nga rrjeta.

Mbrojtësi shkodran i Napolit, Elseid Hysaj shprehet se ishte pikërisht qasja e gabuar në ndeshje gjatë minutave të para, ajo që ndikoi në rezultatin final.

“Mënyra se si e nisëm lojën, ishte shumë e shëmtuar, ndaj edhe arritëm të pësojmë dy gola të shpejtë. U munduam të hyjmë në lojë, por nuk ia dolëm, gjithsesi duhet ta kalojmë këtë moment dhe të shohim përpara”, tha Hysaj.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare nuk e pranon se mbrojtja është më e dobët me largimin e Sarrit, por e lidh pësimin e golave me mungesën e përqendrimit.

“Me Ancelottin po punojmë shumë dhe diçka kemi ndryshuar, por reparti i mbrojtjes është i njëjtë prej 3 vitesh, ndaj nuk ka lidhje ndryshimi i trajnerit me pësimin e golave. Ajo që na ka munguar, ka qenë përqendrimi, të cilin duhet ta rigjejmë menjëherë pas ndërprerjes”, theksoi mbrojtësi i djathtë i Napolit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA