Përballë të gjithë zërave te Juventus që e cilësonin Cristiano Ronaldon si më të mirin e sezonit të kaluar në UEFA, një legjendë e futbollit italian dhe Juventus si Alesandro Del piero, doli kundër rrymës. Ish kapiteni i kampionëve të Italisë tha se Luka Modric e meritonte vlerësimin maksimal, ndërsa Ronaldo duhej të ishte prezent në ceremoninë e Montekarlos.
“Të kesh inat se nuk e more çmimin është diçka që qëndron, por prezantimi është tjetër gjë. Nëse Ronaldo do të shkonte në ceremoni nuk do të kishte asnjë polemikë. Për mua ishte shumë i drejtë vendimi për ti dhënë vlerësimin Luka Modric, për atë që ka dhënë në fushën e lojës edhe pse kjo nuk i heq meritat Ronaldos”, tha Del Piero.
Ish-fantazisti i skuadrës torineze e di mirë sesi shënohet me fanelën e Juventus, diçka të cilën Ronaldo po vuan për ta arritur.
“Sistemet e mbrojtjes në futbollin italian janë mes më të mirëve, për të mos thënë numri 1 në botë. Por zakonisht Ronaldo ecën më mirë në pjesën e dytë të sezonit, ndërsa në Champions është krejt ndryshe pasi ka më shumë hapësira”, tha Del Piero.
Top Channel