Java e tretë e Kategorisë Superiore u hap me barazimin 1-1 në stadiumin e Korçës mes Skënderbeut dhe Laçit, një përballje në të cilën kampionët në fuqi morën vetëm 1 pikë. 90 minutëshi i zhvilluar në një impiant pa tifozë për shkak të dënimit të fushës nga komisioni i Disiplinës, ishte gjithsesi në një nivel të lartë.

Bregu dhe Gripshi kishin shanset për të prishur ekuilibrat në minutat e para por nuk ia dolën dot të shënojnë në portën e Selmanit. Përkundër parashikimeve, goli u regjistrua në gjysmëfushën tjetër kur në një zbritje të shpejtë të kurbinasve, Uzuni shkarkoi në rrjetë të majtën e tij.

Por avantazhi i miqve zgjati fare pak, pasi ofensiva e korçarëve nga e majta e sulmit, solli golin me fat të Gjergji Muzakës, i gjendur në kohën e duhur në vendin e duhur. Muzaka synoi të shënonte dhe në fraksionin e dytë por zgjidhjet individuale dhe goditjet nga distanca të vendasve nuk sollën asgjë të re.

Çerek ore nga fundi Abazi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke lënë vendasit në inferiorite numerik, ndërsa barazimi mbretëroi deri në mbylljen e takimit. Si për ironi të fatit, Skënderbeu dhe Laçi janë në vendin e parë dhe të dytë, në pritje të ndeshjeve të tjera të Superiores.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA