Mund të duket si një këshillë e hedhur me ironi mes tifozëve kundërshtarë, por në fakt bëhet nga një medie sportive: nëse ju bie rruga nga Salzburgu i Austrisë, evitoni përmendjen e fjalës Champions League.

E kjo sërish ka nota ironie, pasi bëhet fjalë për një “mallkim” të vërtetë dhe që e ka tejkaluar tashmë një dekadë, duke hyrë në të dytën. Skuadra austriake, e sponsorizuar nga Red Bulli, ka dështuar për të 11-n herë radhazi të hyjë në fazën e grupeve të Champions League.

Në fakt, nga viti 2005 kur erdhën pronarët e rinj dhe u ndryshua edhe emri i skuadrës duke pasqyruar edhe atë të sponsorit, klubi ka fituar 9 tituj kampionë të Austrisë, por ëndrra për të luajtur në grupet e kompeticionit më prestigjioz të Europës për klube mbetet ende e parealizuar.

Një natë më parë, goditja erdhi nga Ylli i Kuq i Beogradit (Crvena zvezda). Pas barazimit 0-0 të marrë në kryeqytetin serb, të gjithë ishin përgatitur të thyenin tabunë në “Red Bull Arena”.

E madje skuadra e Salzburgut “u bë me krahë”, kur e pa veten në avantazh të dyfishtë, me dy gola të shënuar në fundin e pjesës së parë dhe me të filluar pjesa e dytë, këtë të dytin me 11-metërsh.

Por jo, “mallkimi” do të mbretëronte sërish, pasi serbët barazuan rezultatin në 2-2 dhe i dënuan për të disatën herë austriakët, një dy minuta të stuhishme (65’ dhe 66’).

Nga gushti i vitit 2006, Salzburgu është zhgënjyer vazhdimisht, madje e ka kthyer çështjen në një dramë. E nëse mund të quhen “të pranueshme” eliminimet e para përballë Valencias dhe Shakhtar Donetskut, dy rivalë më të fuqishëm, ato që do të pasonin ndaj Maccabi Haifas, Hapoel Tel Avivit, Dudelanges, Fenerbahçes, Dinamos së Zagrebit dhe Rijekës kanë lënë shenja dhimbjeje të pakthyeshme me sa duket.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA