Championsi nis sezonin e ri me një seri ndryshimesh, e gjithashtu në pritje të futjes së videoarbitrimit, që gjithsesi do të nisin nga faza e 1/8-at e finaleve. Rezistenca e presidentit të UEFA-s për futjen e VAR-it edhe mund të mirëkuptohet, nëse konsideron argumentin se jo të gjitha stadiumet e skuadrave pjesëmarrëse në grupe kanë mundësitë financiare të implementimit të një teknologjie kaq të kushtueshme.
Por, nga mbrëmja e kësaj të enjteje do të shohim një Champions me fytyrë të re. Një format të ri për 3 vitet në vazhdim që u garanton hyrjen e drejtpërdrejt në grupe klubeve të kampionateve më të mëdha të kontinentit të vjetër, me çmime shpërblyese shumë më të majme, me orare të reja të zhvillimit të ndeshjeve, me ndryshimin e katërt në kohët shtesë, por jo vetëm kaq.
Pankinat e ekipeve finaliste do të jenë me 12 lojtarë rezervë, ndërsa duke nisur nga janari do të mund të përfshihen në ekip 3 lojtarë të rinj, edhe nëse kanë luajtur për një tjetër klub pjesëmarrës në turne.
Gjithsesi, pikëpyetja më e madhe në lojë mbetet “moviola” në fushë, gjë që ndoshta mund të jetë thjesht çështje kohe. Disa klube, me në krye Juventusin e Andrea Agnellit, duan ta fusin VAR-in nga faza me eliminim direkt e këtij sezoni, ndërsa Ceferin do të preferonte nga viti i ardhshëm. Sot, Komisioni i përbërë nga përfaqësues të shumë klubeve do të mblidhet në Montekarlo për të kërkuar një zgjidhje që do t’ia sugjerojnë ekzekutivit të UEFA-s më 27 shtator.
Turneu, gjithsesi nuk ndryshon format. Pas fazës me grupe do të vijnë ato me eliminim të drejtpërdrejtë, vetëm se hyrja e ekipeve po. Katër kombet që renditen si më të mirat në renditjen e UEFA-s (aktualisht Spanja, Anglia, Italia dhe Gjermania) do të kenë 4 klube në fazën e grupeve, pa iu nënshtruar më parë “play off”-eve.
E pesta, që sot për sot është Franca, do të fusë dy skuadra drejtpërdrejt dhe një përmes “play off”-it. Shumë shpejt UEFA dhe klubet do të arrijnë edhe një akord për trivjeçarin 2021-2024, në të cilin me përjashtim të rritjes së shpërblimeve, gjithçka pritet të jetë si më parë.
Oraret e reja? Gjatë fazës së grupeve, dy ndeshje do të luhet më 18:55 dhe 6 takime duke nisur nga ora 21:00, ndërsa ndeshjet e fundit në grup do të zhvillohen të gjitha në të njëjtin orar.
Shpërblimet janë të majme dhe bëhet fjalë për një shumë prej 1.95 miliardë eurosh për të 32 klubet e fazës së grupeve. Sa për shembull, Juventusi mund të konsiderojë si të arkëtuara që tani 58 milionë euro, edhe nëse i humbet të gjitha ndeshjet, por nëse arrin të ngrejë trofeun në fund, atëherë kjo shumë do të shkonte deri në 130 milionë euro.
Europa League, ndërkohë, vlen vetëm 560 milionë euro, edhe kjo falë bujarisë dhe solidaritetit të treguar nga ana e Championsit. Por, klubet dhe vet UEFA po diskutojnë për një reformë, që mund të sjellë një turne të ri me promovime dhe rënie, i ngjashëm me Ligën e Kombeve. Për çdo rast, kjo risi pritet të aplikohet nga viti 2024.
Top Channel