Shkëndija e Tetovës u eliminua nga Europa League pas humbjes së dytë në po kaq ndeshje kundër Rozenborgut. Skuadra shqiptare e Maqedonisë bëri një paraqitje të mirë në stadiumin Filipi i Dytë në Shkup, por nuk arriti ta përmbyste disfatën 3-1 në Norvegji, madje e përkeqësoi bilancin duke u dorëzuar 0-2.

Kuqezinjtë tentuan të shkruajnë historinë me objektivin për t’u futur për herë të parë në fazën e grupeve, por edhe pse krijuan një volum të madh loje përballë nordikëve, nuk arritën të mbijetojnë në kupën më të vogël kontinentale.

Në minutën e 20 u duk se mbrëmja e Shkupit do të fliste për shqiptarët kur arbitri akordoi penallti për Shkëndijën pas një faulli në zonë. Por nga pika e bardhë Besart Ibraimi nuk arriti të shënonte ndërsa sfera rroku shtyllën.

Një tjetër mundësi e artë iu paraqit shqiptarëve në të njëjtën mënyrë. Këtë radhë ndryshuan protagonistët te pika e 11 metrave, por jo rezultati. Izair Emini nuk mundi të shënojë një gol që do ndryshonte krejtësisht lojën. Atë që nuk bëri Shkëndija e formalizoi Rozenborgu me kalimin e minutave.

Në fillim Hovland i dha epërsinë nordikëve, ndërsa Reginiusen me golin e dytë mes një prapavije të shthurur, certifikoi kalimin e formacionit nga Trond’hajmi, në fazën e grupeve të Europa League.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA