Austria propozon përdorimin e ushtrisë për të përforcuar kufijtë e BE-së

30/08/2018 17:14

Austria propozoi sot përdorimin e forcave të armatosura të Bashkimit Evropian, për të mbështetur rojet kufitare të bllokut në ndalimin e emigrantëve pa dokumente, pasi koalicioni konservator i Vjenës kërkon kontroll më të rreptë mbi kufijtë tokësorë dhe detarë të BE-së.

Ministri i Mbrojtjes Mario Kunasek përvijoi planin e tij, bazuar në përdorimin e kaluar të ushtarëve të Austrisë në kufijtë e saj, me homologët e BE-së, në një takim me dyer të mbyllura në Vjenë, duke theksuar se ushtarët do të ishin nën kontrollin e policisë.

“Ne duhet t’i mbrojmë kufijtë tanë në mënyrë efektive”, u tha Kunasek gazetarëve pas takimit, duke treguar se kishte një “diskutim pozitiv” mbi propozimin.

Disa qeveri të BE-së kanë shprehur shqetësimin duke reflektuar ndarjet ndërmjet shteteve anëtare, se si të trajtojnë këtë fenomen, të rindajnë refugjatët brenda bllokut dhe të parandalojnë valët e mëtejshme të ardhjeve.

Por Austria, që do të mbajë presidencën e radhës gjashtë mujore të BE-së, është e vendosur të shtyjë bllokun për të parandaluar me çdo kusht, përsëritjen e krizës së vitit 2015, kur më shumë se një milion emigrantë mbërritën në Evropë, nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme.

Italia dhe Hungaria gjithashtu kanë refuzuar ashpër politikën aktuale të migracionit të BE-së, respektivisht me urdhërimin e mbylljes së porteve për shumicën e emigrantëve që vijnë nga deti dhe ndërtimin e një muri kufitar.

BE tashmë ka një mision detar në Mesdhe, i cili synon goditjen e trafikantëve të njerëzve. Sidoqoftë, në tokë, përpjekjet për të thelluar bashkëpunimin ushtarak, policor dhe civil të kufirit, nuk kanë përparuar, pavarësisht një deklarate për ta bërë këtë nga më shumë se një duzinë vendesh në Evropën Qendrore dhe Juglindore më 2017-ën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA