“Zyrtarizohen” viktimat nga uragani “Maria” në Porto Riko

29/08/2018 08:40

Kur po afrohet viti nga stuhia vdekjeprurëse dhe shkatërrimtare që goditi Porto Rikon, shtatorin e 2017-s, zyrtarët atje vijojnë të përditësojnë numrin e viktimave, që në fillimet e veta u fiksua në 64 të vdekur, e tashmë ka arritur në 2.975 të tillë.

Guvernatori i ishullit, territor amerikan, Ricardo Rossello pranoi gjetjet e një hetimi tejet të gjatë dhe të pavarur, që thuajse i 50-fishon të vdekurit.

Që prej asaj stuhie, Porto Riko ka hasur në vështirësi të mëdha për të riparuar infrastrukturën dhe rrjetin elektrik, ndaj i ka kërkuar Kongresit amerikan një shumë prej 139 miliardë dollarë si fonde rimëkëmbjeje.

“Sapo kam urdhëruar që të përditësohet shifra zyrtare e të vdekurve në 2.975”, tha guvernatori Rossello gjatë një konference për shtyp të së martës. “Megjithëse është një përllogaritje, ka baza shkencore për këtë”.

Në një deklaratë të saj, Shtëpia e Bardhë tha se qeveria federale kishte mbështetur përpjekjet e guvernatorit për të “garantuar numërimin e plotë dhe transparencën mbi viktimat” e stuhisë së vitit të kaluar.

Presidenti Donald Trump është kritikuar për lavdet që i thuri reagimit të qeverisë federale për ishullin e shkretuar nga stuhia, në javët e para pas ngjarjes së shtatorit të vjetshëm. Kritikët e akuzuan atë se do të shfaqte më shumë shqetësim për rezidentët në Teksas dhe Florida, nëse do të goditeshin nga uraganet.

Top Channel