Mbrëmja e së martës ishte sa speciale, unike e po aq magjike. Bastian Schweinsteiger i dha lamtumirën përfundimtare futbollit të luajtur, në një ndeshje të zhvilluar në “Allianz Arena”, fortesa e Bayern Munchenit të tij me të cilin ka fituar gjithçka në karrierë.
Në fushë u sfiduan bavarezët nga njëri krah dhe amerikanët e Chicago Fire, nga ana tjetër, ekipi i fundit ku është aktivizuar mesfushori gjerman.
Por, ndryshe nga lamtumirat e tjera të futbollit, kjo ndeshje pati diçka të veçantë: një pjesë Bastian e luajti për amerikanët, e pjesën tjetër me fanellën e gjigantëve të Bundesligës, duke shënuar edhe golin e katërt të ndeshjes që u mbyll me rezultatin 4-0.
“Ishte një mbrëmje e paharrueshme, – është shprehur Schweinsteiger. Në fund të fundit, jeta është e mbushur me kujtime dhe jam i lumtur që kam përjetuar këto çaste. Fakti që munda ta ndaja edhe me tifozët e Bayernit e ka bërë këtë mbrëmje edhe më të bukur”.
Top Channel