Parlamenti iranian “censuron” Rouhanin. Pragmatistët po humbasin terren

28/08/2018 14:49

Parlamenti i Iranit votoi këtë të martë për të refuzuar shpjegimet e presidentit Hassan Rouhani mbi vështirësitë ekonomike, pas një interpelance dramatike të transmetuar drejtpërdrejt në televizion, duke dhënë kështu sinjalet se pragmatizmi i tij po humbet terren kundrejt rivalëve të linjës së ashpër, mes dhimbjeve që u kanë shkaktuar sanksionet e reja amerikane.

Votimi në Parlamenti erdhi dy ditë pasi ligjvënësit shkarkuan ministrin e Ekonomisë dhe Financave, si dhe disa javë pasi shkarkuar ministrin e Punës, duke i fajësuar ata për rënien e monedhës vendase dhe rritjen e inflacionit.

Rouhani ka fituar dy mandate historike presidenciale, me një platformë që fokusohej te reforma ekonomike dhe hapja e Iranit ndaj botës së jashtme, ndërkohë që mbështetësit e tij pragmatik kanë shumicën në Parlament. Por, reputacioni dhe ndikimi i tij politik kanë marrë një goditje të ashpër, pasi përfitimet ekonomike të premtuara prej tij kanë dështuar të materializohen.

Arritja e tij më e madhe ka qenë negociimi i heqjes së sanksioneve financiare ndaj Iranit, në marrëveshjen e vitit 2015 me fuqitë botërore me kusht kufizimin e programit bërthamor, por presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq prej saj në maj të këtij viti dhe Uashingtoni riktheu sanksionet.

Rouhani foli në Parlament në mbrojtje të arritjeve të tij ekonomike, duke fajësuar problemet e vendit me sanksionet amerikane, më shumë sesa menaxhimi i ekipit të tij. Pikërisht këtu, shumica e ligjvënësve votuan për të refuzuar shpjegimet e tij në 4 nga 5 fusha për të cilat foli.

Raportime konfliktuale pasuan votimin. Disa agjenci iraniane lajmesh thanë se çështja e Rouhanit do t’i referohet tashmë drejtësisë, megjithatë, zëdhënësi i shumicës parlamentare, Behrouz Nemati tha se ligjvënësit mund të zhvillojnë të tjera diskutime përpara se vota të marrë efekt ligjor.

Veprimi parlamentar është një sinjal i mëtejshëm sesi vendimi i administratës “Trump” për rivendosjen e sanksioneve mund të ndikojë lidershipin e Iranit dhe marrëdhëniet e tij me botën e jashtme, potencialisht për dekadat që do të vijnë.

Sundimtarët e Iranit janë të ndarë mes një fraksioni pragmatik, që synon marrëdhënie më të mira ndërkombëtare, dhe atij të lindës së ashpër që janë të kujdesshëm ndaj reformave.

Top Channel