Për herë të parë që kur u larguan nga Shqipëria drejt Kanadasë çifti i artistëve Gent dhe Xhoi Bejko kanë rrëfyer në emisioni “Pushime on Top” jetën e re atje, mallin për Shqipërinë dhe pushimet në vendlindje.
“Kemi qëndruar kohë pa ardhur sepse kur ikën në një vend tjetër duhet të ndash mendjen që je larguar dhe të jesh I qartë në atë që do të bësh” tha Genti.
Shqipëria duket se i ka frymëzuar me energji dy artistët dhe janë gati për të nisur jetën sërish në Kanada. Por sa herë që ikin mendojnë dhe kujtojnë artin në Shqipëri.
“Në vendin tonë fatkeqësisht politika është ajo që shkakton rrëmujë në çështjet e artit sic është Teatri Kombëtar apo edhe kinematografia. Unë kam bërë shumë filma dhe shfaqje në teatër” tha Genti. Duke kujtuar kohët e punës si aktor në Shqipëri, me humor Genti tha se raportet më të mira gjithmonë i ka pasur me njerëzit pas kamerave se sa me aktorët në skenë.
Sa i përket roleve në kinematografi dhe bashkëpunimi me aktorë e regjisorë të famshëm në Kanada Genti tregoi se ishte një fat i madh megjithëse në fillim nuk e kishte menduar që edhe në Kanada do të kishte mundësi të punonte në profesionin e tij.
Xhoin e njohim të gjithë si këngëtare, por edukimi i saj është në fushën e ekonomisë pasi është diplomuar për financë e duket se ka ardhur koha për të aplikuar këtë profesion. “Këngën nuk e kam lënë pasi shqiptarët atje e duan muzikën dhe kam mundësi të këndoj. Ndërkohë kam menduar që të punoj edhe në profesionin tim” tregoi Xhoi.
Top Channel