Edhe pse Bashkimi Europian ka financuar një milion euro për ambientet e reja të Pikës së Kalimit Kufitar të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, udhëtarët ankohen për vonesa.
Sipas tyre, doganierët e Kosovës refuzojnë qëndrimin në sportelet e ngritura, çka ka krijuar radhë në kufi.
Vetë doganierët kosovarë thonë se në sportele nuk ka kushte për të ushtruar detyrën, çka ka vënë në pikëpyetje zbatimin e marrëveshjes për kontrollin e përbashkët të miratuar nga qeveritë e dy vendeve.
Veçanërisht gjatë sezonit të verës, fluksi i kalimtarëve në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës është i lartë, por puna e ngadaltë në sportele ka bërë që të krijohen radhë të gjata.
Edhe pse pika e re kufitare në Morin ka 12 korsi dhe një by-pass të ri për kontrollin e kamionëve dhe mjeteve të rënda, radhët nuk janë shmangur ende.
Top Channel